2016-12-30 10:37:00

Atë Gjergj Fishta, në përvjetorin e vdekjes


Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare, në përvjetorin e vdekjes (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940). Po e kujtojmë, pa u ndaluar tek jeta e tij e jashtëzakonshme, para se të zdrypte në varr, edhe ky i jashtëzakonshëm. As tek vepra madhore, e gjithanshme. Po mjaftohemi të përmbledhim tri periudhat kryesore të qëndrimit ndaj figurës së tij pas vdekjes. 

Periudha I (1937-1944)
Në vitet 1937-1944 Atë Gjergj Fishta arrin në kulmin e lavdisë poetike. I merr të gjitha lavdet për tërë veprën e tij, posaçërisht, për Lahutën e Malcís.
E quajnë “Poet Kombëtar i shqiptarëve”; “Orfeu i Shqipërisë”; “Tirteu shqiptar”. Vepra e tij, Lahuta, njihet si kryevepër e papërsëritshme e letërsisë shqipe e si Bibël kombëtare. Aureolën e merr nga dora e një Poeti tjetër, të cilin e njohu personalisht. Nga Lasgushi. Liriku i madh, mjeshtrisht e madhërisht, e quan Fishtën “Shkëmb i tokës e shkëmb i shpirtit shqiptar”, “meditans et militans”.
Gjatë tri vjetëve (1941, 1942, 1943) për poetin, tanimë të vdekur, botohen plot 180 shkrime në shtypin periodik vendas e të huaj, shifër krejt e pazakontë për gjithë historinë e letërsisë shqipe. Mjafton të kujtojmë botimin e numrit përkujtimor “Atë Gjergj Fishta”, nën kujdesin e atë Benedikt Demës(1941) dhe “Gjergj Fishta”, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”(1941).

Fishta, edhe pse i vdekur, po korrte frytin shumëvjeçar, që kishte mbjellë gjatë gjithë jetës. Mirëpo në Shqipëri çdo dukurie shoqërore, të veçantë nga të tjerat, i ngjitet pas një bisht politik. Thënies lapidare të Poetit shprehur mjeshtërisht në vargjet satirike, ku deri më sot s’ka mundur ende t’ia kalojë kush: “Unë jam át Gjergj Fishta/ qi i njes gjithkuj bishta/ kush e ka, ia pres/ kush s’e ka, ia njes//, nuk i shpëtoi as ai vetë.

Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare”1 thuhet shkoqur se Fishta i mbaroi ditët e jetës si akademik i Italisë fashiste. Nuk ka si të mos na duket tejet e çuditshme akuza, që i bëhet në atdhe poetit, po të lexojmë me vëmendje vlerësimin në nekrologjinë, botuar nga gazeta italiane “Corriere della Sera”2, më 31 dhjetor 1940, një ditë pasi mbylli sytë. Titullohet “Vdekja e Gjergj Fishtës, Poetit kombëtar shqiptar”. Meshtari-Poet vlerësohet tejet lart për veprën e tij, që i dha hove të reja zgjimit të ndërgjegjes së shqiptarëve, në luftën për liri e pavarësi. Përmendet fjala françeskan. Poet. Akademik. Po asgjëkundi fjala fashizëm e fashist. E pra jemi në vitin 1940! Në Italinë fashiste!

Vjen pastaj Periudha e II (1945-1990) në të cilën qëndrimi i shtetit komunist të asokohshëm qe i prerë.

Fishta duhet të shpallej heretik e vepra e tij, të digjej mbi turrë të druve. E jo në kuptimin figurativ. Ishte koha e flakadajve, ku përfunduan jo vetëm veprat e Atë Gjergjit, por edhe shumë e shumë vlera të tjera të papërsëritshme. Ky qëndrim vijoi. E tregon Fjalori Enciklopedik Shqiptar3. Poetit i ngjiten njëkohësisht një mori bishtash: reaksionar; përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale katolike; drejtues i “Hyllit të Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal; himnizues i prapambetjes e i patriarkalizmit; kundërshtar i përparimit shoqëror, krijues veprash me karakter fetar, fashist. E natyrisht, iu ‘prenë’ të gjitha meritat, ‘bishta’ për regjimin.  E sikur të mos mjaftonte kjo, u akuzua edhe për folklorizëm e shovinizëm. Për t’i dhënë përgjigje akuzës së fundit, kënduar pambarimisht, deri nga personalitete të letrave, që mendohej se kishin aq mend e shqise, sa ta rroknin kuptimin figurativ të kryeveprave të pakrahasueshme, po citojmë vetëm disa vargje nga Lahuta:
...
“Por t’ kjajë shkina ke Cetina
Martiniqin t’cill’n e kputi
Gjeto Marku, zêmer-nguti.
Veç se shka, mâ fort se Gjetja,
Ket qyqár, thom, e vrau vetja;
Pse , ç’e pruni ke Rrzhanica
E me topa e me novica?
A dro token pat per t’dá,
Qi ja la ktij baba Shkjá?”

Por vitet rrodhën e erdhi periudha III (1990-2013)
Fishta u riduk. Për të shkruhen studime e vepra cilësore, edhe në organet e specializuara të vendit. Botohen studime serioze për jetën dhe veprën e Poetit françeskan, si libri “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, shkruar nga Atë Daniel Gjeçaj 4; “Gjergj Fishta”, shkruar nga Sabri Hamiti5; “Fishta, estetikë dhe kritikë”, shkruar nga Persida Asllani;6 “Studime për autorë të ndaluar”7ku përfshihet edhe Fishta; "Studime gjuhësore XIV; Magjia e fjalës te vepra 'Lahuta e Malcís' e Atë Gjergj Fishtës” shkruar nga David Luka, etj.
Një punë të madhe për njohjen e Atë Gjergj Fishtës po bën Provinça Françeskane shqiptare, e cila vijon botimin e gjithë veprës së Poetit kombëtar, duke përfshirë edhe veprat e mbetura në dorëshkrim. Veçanërisht me rëndësi, botimi i prozës së Fishtës, e panjohur sa duhet, sepse e shpërndarë në shumë revista të kohës, shpesh pa emrin e autorit, por vetëm me pseudonime.

Po e mbyllim këtë fjalë përkujtimore, duke cituar dy personalitete: Martin Camaj e atë Zef Valentini.
Camaj shkruan: “Me Fishtën nxente fill zhvillimi i gjuhës së shkrueme shqipe tue u nisë drejtpërdrejt nga bazat e të folmes popullore. Përvoja dhe trashëgimi i Fishtës po në këtë drejtim asht gur themeluer i gjuhës letrare shqipe, pa përjashtim rrymash, tue përfshi edhe ata shkrimtarë njofsa dhe studiuesa të letërsisë moderne prendimore”.
Atë Zef Valentini që e pati provuar personalisht mprehtësinë e pambërrijtshme të penës satirike të Poetit të “Anzave”, gjatë një polemike, pati thënë: “Mjer ai, në të cilin shkrepshin artikujt..” e Pater Gjergjit!”10.  Sa shumë ndjehet mungesa e një pende kësisoji në letrat e sotme shqipe.

E tepërt, të radhisim këtu veprat, që e lartuan në majat e epikës e, sidomos, të satirës, jo vetëm shqiptare, atë që vendas e të huaj e quajtën “Homeri i fundit”.
Gjithsesi po i kujtojmë disa, në botimet e tij të para:
Lahuta e Malcíse – poemë epike (Zarë,1925) 
Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907)
Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
Shqyptari i gjytetnuem - melodramë (1911) 
Shqyptarja e gjytetnueme – melodramë(1912)
Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912) 
Hylli i Dritës - revistë (1913) themelues.
Juda Makabé - tragjedi (1914)
Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924) 
Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
Lahuta e Malcís – Botimi i plotë (1937)
Jerina ase mbretnesha e luleve (Shkodër, 1941)








All the contents on this site are copyrighted ©.