2016-12-30 12:19:00

2016-ta e Papës Françesku: reformatorët e vërtetë janë shenjtorët


2016-ta numëron orët e fundit. Është koha e bilanceve. Viti, që po përfundon, ishte tejet i ngarkuar me ngjarje për Papën: me gjashtë shtegtime ndërkombëtare, tre në Itali, me botimin e Nxitjes Apostolike Amoris Laetitia kushtuar familjes, me Jubileun e Mëshirës, me veprimtaritë e tij të shumta; e pastaj takimet, audiencat përgjithshme, Meshët e mëngjesit në Shën Martë dhe hapat e para të reformës së Kuries. Por filli i kuq edhe për këtë vit është përtërtija e thellë shpirtërore, të cilën Papa Françesku po e realizon në Kishë, që të krishterët të mund ta çojnë në mbarë botën gëzimin e Ungjillit.

Në qendër të Ungjillit, dashuria e Zotit, jo Ligji

“Në qendër nuk është ligji, por dashuria e Zotit, që di të lexojë në zemër të çdo njeriu, për t’ia kuptuar dëshirat më të fshehta. E që duhet të ketë epërsi mbi gjithçka”. Ndoshta janë pikërisht këto, fjalët më domethënëse të Papës Françesku gjatë këtij viti. I lexojmë në Letrën Apostolike “Misericodia et misera” (Dhembshuri e Mëshirë), botuar në përfundim të Jubileut:

“Kjo është koha e mëshirës - pohon - është pushteti i Ungjillit, të cilin përpiqemi gjithnjë ta mbyllim brenda skemave siguruese, siç bëjnë skribët e farizenjtë, që i drejtonin Jezusit pyetje dredharake, duke cituar Moisiun e Ligjin, sepse “kështu kemi bërë gjithnjë”: por dashuria e Zotit është më e fortë. I krishteri - shkruan Papa - është i thirrur ta jetojë risinë e Ungjillit: e  edhe në rastet më të ndërlikuara, në të cilat njeriu tundohet t’i japë epërsi drejtësisë, që rrjedh vetëm nga ligjet, duhet besuar në forcën që gurron nga hiri hyjnor”.

Por, ç’do të thotë kjo? Se ndryshoi ligji? Jo! Ligji është në shërbim të njeriut e në shërbim të Zotit e prandaj njeriu duhet ta ketë gjithnjë zemrën e hapur:

“Të pohosh ‘kemi bërë gjithnjë kështu’, do të thotë ta kesh zemrën të mbyllur. E Jezusi na ka thënë: ‘Po ju dërgoj Shpirtin Shenjt e ai do t’ju prijë drejt së vërtetës së plotë’ . Nëse ti e ke zemrën të mbyllur për risinë e Shpirtit Shenjt, nuk do të mund të arrish kurrë tek e vërteta e plotë” (Homelia në Shën Martë, 18 janar 2016).

Rreptësia e kryelartësia

Nuk është e lehtë të ecësh në Ligjin e Zotit, pa rënë në rreptësi - pohon Papa. Ndërsa Ligji – vëren në vijim - nuk u bë për të na shndërruar në skllevër, por në njerëz të lirë, në bij. Pas rreptësisë fshihet ndonjë gjë tjetër, gjithnjë:

“Ta lusim Zotin, të lutemi për vëllezërit tanë e motrat tona, që besojnë se të ecësh në Ligjin e Zotit do të thotë të jesh i rreptë. Zoti i bëftë ta ndjejnë se Ai është Atë e se Atij i pëlqen mëshira, dhembshuria, mirësia, butësia, përvujtëria. E të gjithë na mësoftë të ecim në Ligjin e Zotit me këto sjellje” (Homelia në Shën Martë, 24 tetor 2016).

Zemërhapur, për të papriturat e Shpirtit Shenjt

Që nga fillimi, Shpirti Shenjt e shtyn Kishën përpara, drejt rrugëve të reja, kah risia e Zotit. Rritet inteligjenca e fesë, të vërtetat kuptohen gjithnjë më shumë e më plotë. Duke nisur nga Koncili i parë i historisë, ai i Jeruzalemit, në të cilin Apostujt vendosën së bashku të mos ua imponojnë ligjin e Moisiut paganëve të kthyer:

“Kjo është udha e Kishës deri më sot. E kur Shpirti Shenjt na çudit me diçka që është e re e që ‘nuk është bërë kurrë kështu’, ‘duhet bërë kështu’. Mendoni për Koncilin II të Vatikanit, për ngurrimet që pati. E kujtoj këtë, sepse është më afër nesh. Sa rezistenca: ‘E jo…’. Edhe sot ka rezitenca, që vijojnë në një mënyrë a në një tjetrër, por Shpirti shkon përpara. E kjo është udha e Kishës, në të cilën gjen shprehjen e vet bashkimi i Kishës. E kush e bën bashkimin? Shpirti Shenjt! Edhe një herë, protagonist. Çfarë na kërkon Zoti? Bindjen ndaj Shpirtit Shenjt! Çfarë na kërkon Zoti? Të mos kemi frikë, kur e shikojmë se është Shpirti Shenjt ai, që na thërret”.(Homelia në Shën Martë, më 28 prill 2016).

Djalli dëshiron ta shkatërrojë Kishën, duke e përçarë

Papa Françesku fton të punohet për unitetin e Kishës, të mos copëtohet edhe një herë Korpi i Krishtit. Eshtë djalli - thekson - që dëshiron ta  shkatërrojë Kishën përmes ndarjeve teologjike dhe ideoloìgjike. Lufta e shejtanit është ndeshje e ndyrë, e ne, të padjallëzuarit, bëhemi lojë në duart e tij:

“Përçarjet në Kishë nuk e lënë të rritet Mbretërinë e Zotit; nuk na lënë ta shikojmë Zotin mirë, ashtu si është. Përçarjet bëjnë të shikohet një pjesë kundër tjetrës. Gjithnjë kundra! Nuk është vaj uniteti, nuk është balsam uniteti(…). E unë ju kërkoj të bëni ç’është e mundur për të mos e rrënuar Kishën me përçarje, qofshin idelogjike, fryt i etjes për lavdi, i ambicionit, i zilive” (Homelia në Shën Martë, më 12 dhjetor).

Kisha - thotë Papa Françesku - ka nevojë të vazhdueshme të përtërihet, sepse është korp i gjallë. Po reformatorët e vërtetë janë shenjtorët!








All the contents on this site are copyrighted ©.