2016-12-29 00:00:00

Papa Françesku, njeri i paqes


“Evropë, ç’të ka ndodhur?... Nënë e popujve dhe e kombeve, e grave dhe e burrave të mëdhenj, që ditën ta mbrojnë e ta japin jetën për dinjitetin e vëllezërve të vet?” Ishte pyetja, që Papa Françesku pati bërë më 6 majin e kaluar, kur krerët e Bashkimit Evropian i dhanë çmimin Karli i Madh. Ishte nxitja e Pasardhësit të Shën Pjetrit që Evropa të ngrejë kryet e të shohë drejt lartësive ku e deshën themeluesit e ku e çojnë gjithnjë vlerat e krishtera, bazë e kulturës së saj.

Synimi i Papës: mbrojtja dhe qëndrueshmëria e paqes në kontinentin e vjetër, i cili, duke e harruar Zotin, po harron edhe vlerat, që e bëjnë një, rreth idealit evropian të Shumanit, Adenauerit e De Gasperit. Është ideja e paqes dhe e pajtimit shoqëror, për të cilën flet e punon prej kohësh edhe vetë Ati i Shenjtë. Në takimet e udhëtimet e ndryshme gjatë vitit 2016, përvijoi edhe qëndrimet për arritjen e kësaj paqeje.

“Vetëm kush shërben me dashuri ndërton paqen”, pati pohuar Papa Françesku në fjalën e tij për qytetarët e për bashkësinë katolike të Lesbos, më 16 prill 2016, duke kujtuar kështu, viktimat e emigracionit, barkat me të ikurit nga lufta e dhuna. Ati i Shenjtë, në praninë e Patriarkut Bartolomeu dhe të kryeipeshkvit Ieronymos, dëshmoi atëherë vullnetin për të bashkëpunuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. “Zoti Atë, në Birin e tij, tregon udhën e paqes e duke u bërë shërbëtor, përmes shërbimit të dashurisë shpëtoi botën”.

Si të mos e kujtojmë shtegtimin në Amerikën Latine: Ekuador, Bolivi e Paraguaj më 12 shkurt e, takimin me Patriarkun e Moskës, Kirill, në aeroportin e Kubës, gjatë udhëtimit, që më pas vijoi për në Meksikë e në SHBA-të. Hap i rëndësishëm përpara në bashkimin ndërmjet të krishterëve, sepse edhe ata kanë nevojë për pajtim ndërmjet tyre, për ta dëshmuar Krishtin së bashku, që bota të besojë. E më tej, Papa Françesku kontribuoi në rehabilitimin e marrëdhënieve ndërmjet Kubës e Shteteve të Bashkuara, pas 50 vjet embargo.

Pastaj, hapja e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, kur e quajti paqen: “Fryt të kulturës së solidaritetit, të mëshirës e të dhembshurisë”. Shërbimi i Papës Françesku është pjesë e misionit të një Kishe me dyer të hapura, mikpritëse, Kishë periferie, ku mund të hyjë çdo nevojtar, që në zemër të vet, ndjen dëshirën për paqe.

Në këtë dritë mund ta shohim pra, edhe marrjen e çmimit Karli i Madh, që e përmendëm në fillim. Me atë rast, Bergoglio, ky njeri i paqes, nuk harroi të këshillojë: “Paqja do të jetë e qëndrueshme në masën me të cilën i armatosim bijtë tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre si të luftojnë në betejën e takimit dhe të bisedimeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.