2016-12-29 12:05:00

Krishtlindja na kujton shkëmbimin mahnitës e të madhërishëm ndërmjet Hyjnores e njerëzores.


Kremtimet e Krishtlindjes na flasin për shkëmbimin mahnitës e të madhërishëm ndërmjet Hyjnores e njerëzores. Të përhapen në mbarë botën drita dhe gëzimi i Jezu Krishtit: kjo është porosia, që Kisha u drejton besimtarëve e të gjithë njerëzve vullnetmirë, gjatë kohës së kremtimit të Krishtlindjes.  Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, e kjo ngjarje është festa në të cilën Zoti i dëfton njeriut dinjitetin e Tij më të thellë, dinjitetin e Birit të Hyjit. 

Nga njëra anë fshehja e Hyjit pas përvujtërisë së natyrës njerëzore, në Foshnjën e Betlehemit; nga ana tjetër, dëftimi përmes mishërimit: dy realitete, që i shohim qartë në dy solemnitete: atë të Krishtlindjes e atë të Dëftimit të Zotit. Festa e Dëftimit të Zotit, që kremtojmë më 6 janar, na kujton adhurimin e tre Mbretërve Dijetarë, e, me për dëftimin e Zotit na flasin edhe festa e Pagëzimit të Jezusit dhe mrekullia e Dasmës në Kanë. Kështu pra, mund të theksojmë dy aspekte, të dy festave të mëdha, Krishtlindjes e Dëftimit: gëzimin dhe dritën.

Gëzim e mahnitje burojnë vetvetiu nga kundrimi i fytyrës së kësaj Foshnjeje të përvuajtur, sepse e dimë që është Fytyra e Hyjit, e pranishme përgjithmonë në zemrën e njerëzimit; fytyra e Zotit të ardhur për ne, që jeton me ne. Krishtlindja është gëzim, sepse, më në fund, shikojmë me sytë tanë e jemi të sigurt se Zoti është e mira e pambaruar, se është e vërteta, që ulet tek njeriu, për ta lartuar kah Vetja: Hyji bëhet, kështu, i afërt, që të mund ta shikojmë e ta prekim.

Teologjia dhe përshpirtëria e Krishtlindjes flasin për një shkëmbin mahnitës ndërmjet natyrës hyjnore e asaj njerëzore: Hyji bëhet njeri, merr natyrën tonë, lind si ne, duke i dëftuar, kështu, njeriut, dinjitetin e tij më të thellë: atë të birit të Zotit. E kështu ëndrra e njerëzimit, nisur në Parajsë – duam të jemi si Zoti – realizohet në një mënyrë krejt të papritur, jo për shkak të madhështisë së njeriut, që nuk mund të bëhet Zot, por për shkak të përvujtërisë së Zotit, që zbret nga qielli e hyn në ne, me përvujtërinë e vet dhe na larton në madhështinë e vërtetë të qenies së Vet. Një shkëmbim, tejet të prekshëm e kemi në Eukaristi.

Ftesa e Izaisë profet: “Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote; në dritën tënde do të ecin popujt, e mbretërit, në vezullimin e shkëlqimit tënd”…”, i drejtohet Kishës, por edhe secilit nga ne, e këtë nuk duhet ta harrojmë. E është ftesë për t’u bërë gjithnjë më të vetëdijshëm në misionin për ta përhapur dritën e re të Ungjillit.

Pra, Ungjilli është dritë, që nuk duhet fshehur. Duhet vënë lart e më lart. Kisha nuk është dritë, por merr dritën e Jezu Krishtit. E merr, për të qenë e ndriçuar e për ta përhapur, me gjithë shkëlqimin e saj. E kjo duhet të ndodhë edhe në jetën tonë personale. Edhe sot, drita e Krishtit e davarit errësirën e botës, këtë na kujtona Fjala e Zotit, posaçërisht në kremtimet liturgjike gjatë periudhës së Krishtlindjes. Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë t’u tregosh të gjithëve gëzimin, risinë, dritën, që solli kjo Lindje Hyjnore në të gjithë jetën tonë, për të na bërë njerëz, që përhapin në botë gëzimin, risinë e vërtetë, dritën e Zotit, duke ua dhuruar edhe të tjerëve.

Porosia kryesore e Kishës në këtë periudhë liturgjike e shpirtërore është ta kumtojmë Ungjillin e ta pranojmë në zemrat tona këtë Foshnjë Hyjnore, për të marrë jetë, nga jeta e Tij, për t’i bërë ndjenjat, mendimet, veprimet e Tij, ndjenjat, mendimet, veprimet tona. Ju urojmë pra edhe një herë të gjithëve që Krishtlindja, me dritën e saj, të vijon të shkëlqejë e të përhapë gëzim në të katër anët, së bashku me Solemnitetet tjera që po afrohen,  Dëftimi i Zotit e edhe  Pagëzimi Tij.  Edhe një herë, urime për një kohë shpirtërore të bekuar nga prania e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.