2016-12-26 17:33:00

Persekutimet kundër të krishterëve. Introvigne: 90 mijë të vrarë në 2016-tën


 Sot, 26 dhjetor, Kisha kremton Shën Shtjefnin, martir i parë, që i priu një aradheje të pafundme martirësh në rrjedhë të historisë. Sepse persekutimi nuk është fenomen i rrallë në historinë e krishterimit. I shoqëroi të krishterët, në shumë vende të botës, nga lashtësia, në ditët tona. Papa Françesku e ka pohuar shumë herë, duke e përsëritur edhe sot, se dhuna kundër të krishterëve është shumë më e shpeshtë tani, sesa ishte në kohë që ne tashmë i quajmë barbare. Njoftimet mbi këtë temë jashtëzakonisht prekëse i jep sot, në  ditën kur përkujtohet Martiri i parë, në mikrofonin e Radio Vatikanit, profesor Massimo Introvigne, drejtor i Cesnur (Qendra e Studimeve për Fetë e Reja). Flet  për 90 mijë të krishterë, vrarë për fenë e tyre, një për çdo gjashtë minuta, e edhe për një numër që arrin nga 500 deri në 600 milionë të krishterë, të cilët nuk mund ta jetojnë në mënyrë krejtësisht të lirë fenë e tyre:

Përgjigje: - Qendra  për Studimet Globale Kristiane muajin e ardhshëm do të botojë statistikën e saj për vitin 2016.  Flet për 90 mijë të krishterë, vrarë për fenë e tyre: një i vdekur në çdo 6 minuta, ndonëse për fat, numri është pakësuar sadopak, në krahasim me dy vjet më parë, kur të vrarët ishin 105 mijë. Prej këtyre, 70%, domethënë 63 mijë vetë, u vranë gjatë ndeshjeve fisnore në Afrikë. Qendra amerikane i përfshin në statistikë, ngaqë mendon se bëhet fjalë kryesisht për të krishterë, që nuk pranojnë të rrokin armët për arsye se nuk ua lejon ndërgjegjja; 30% tjetër, domethënë 27 mijë vetë, janë viktima të atentateve terroristike, të shkatërrimit të fshatrave të krishtera e të persekutimeve qeveritare, siç është rasti i Koresë së Veriut.

Pyetje: -  Përsa u përket të krishterëve të persekutuar në mbarë botën, sa mendoni se mund të jetë numri i përgjithshëm?

Përgjigje: - Duke i marrë së bashku statistikat e të paktën tri qendrave të ndryshme kërkimore të  SHBA-ve,  e edhe qendrës sime, Cesnur, e duke   krahasuar 120 vende të ndryshme të botës, mendohet të jenë rreth 500 a 600 milionë të krishterët, që  nuk mund ta praktikojnë krejt lirisht fenë e tyre.  Pa dashur t’i  harrojmë  vuajtjet e besimtarëve të feve të tjera, të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar në botë. Ndokush mund të  dyshojë përballë statistikave, sepse Qendra e Studimeve të Krishterimit Global na jep  shifrën 90 mijë, ndërsa shumë të tjera flasin për disa mijëra, të tjera akoma, vetëm për disa qindra. Kur ndryshimet e shifrave janë kaq të mëdha, është e qartë se numrohen gjëra të ndryshme. Disa numrojnë njerëzit e vënë para dy rrugëve: “O moho fenë, o vdis!”. E këta janë çdo vit disa qindra. Por ekziston edhe një koncept më i gjerë, që nuk ka të bëjë me kandidatë për lumnim, por me njerëz, që mund të jenë vrarë duke kryer gjeste ose praktika fetare. E në këtë rast, flitet për mijëra. E në se flitet për njerëz, që vriten vetëm e vetëm pse janë të krishterë, atëhere arrijmë tek 90 mijëshi, domethënë, një i vrarë në çdo 6 minuta.

Pyetje: - Nuk mund të mos kujtojmë persekutimin që ushtron Shteti i vetëshpallur Islamik kundër të krishterëve, në territoret e pushtuara, ku shumë të krishterë humbën jetën për të mos e mohuar Krishtin…

Përgjigje: - Po, në territoret e të ashtuquajturit Shtet Islamik, ka raste nga më të ndryshmet, ndërmjet të cilave Kisha po studion lumnimet e mundshme. Këtu jetojnë të krishterë, që vendosën vetëdijshëm ta vijojnë jetën në këto territore e ta dëshmojnë fenë e tyre, duke dhënë edhe dëshminë e gjakut. Kur flasim për Shtetin Islamik, nuk duhet të harrojmë se vret edhe myslimanët e se, gjatë vitit 2016, sipas statistikave tona, numri i të krishterëve dhe numri i myslimanëve të vrarë për fenë e tyre është pothuajse i barabartë. E kjo, kryesisht në Azi. Myslimanë, që vrasin myslimanë: shiitë të vrarë nga sunitët, sepse nuk mbajnë të njëjtat qëndrime ndaj Islamit. Ndodh edhe që myslimanët më ekstremistë të vrasin myslimanët më të moderuar, si në rastin e Is.

Pyetje: - Ç’ju prek më shumë, kur bëhet fjalë për fenomenin e persekutimit?

Përgjigje: - Dy pika. E para, se pak a shumë në të gjitha vendet rritet  intoleranca. E intoleraca është paradhoma  e diskriminimit, që pastaj - pika e dytë kjo - bëhet  paradhoma e persekutimit. E përballë gjithë këtij persekutimi, vërejmë sjelljet shpesh herë shumë shembullore të pakicave të krishtera, që i nënshtrohen gjithfarë poshtërimeve e që, megjithatë,  rrallë herë i përgjigjen dhunës me dhunë, ndërsa në shumicën e rasteve e dëshmojnë me qetësi dhe heroizëm fenë, shumë shpesh duke i falur persekutuesit e duke u lutur për ta.








All the contents on this site are copyrighted ©.