2016-12-26 15:21:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: dhembshuri, lutje, vaj për të krishterët, që urrehen në botë


"Martirizimi i të krishterëve vijon të jetë i pranishëm në historinë e Kishës”. Kështu u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e sotëm të Shën Shtjefnit, martir i parë, viktimë e urrejtjes për Jezusin. Françesku shprehu edhe ngushëllimet për viktimat e aksidentit në Rusi.

“Nga Shtjefni, në ditët tona”, kundërshtimi, persekutimi, martirizimi i të krishterëve - kujtoi Papa Françesku - u paralajmëruan nga vetë Jezusi, që u pati thënë dishepujve të vet: ‘Do të urreheni të gjithë për shkak të emrit tim’”.

Bota i urren të krishterët për të njëjtën arsye, që urreu edhe Krishtin, sepse ai solli Dritën e Zotit, ndërsa botës i pëlqen më shumë errësira, për të fshehur veprat e saj të mbrapshta:

“Ka kundërvënie ndërmjet mendësisë së Ungjillit e asaj të botës”.

Ta ndjekësh Jezusin, do të thotë të ndjekësh dritën e Tij, që u ndez në natën e Betlehemit e t’i braktisësh errësirat e botës.

Martiri i parë, Shtjefni, u mbyt me gurë, sepse dëshmoi besimin në Jezu Krishtin.

Duke zgjedhur të vërtetën, ai u bë njëherësh viktimë e misterit të së keqes, gjithnjë i pranishëm në këtë botë. Por, në Krishtin, Shtjefni fitoi:

“Edhe sot, në Kishë - nënvizoi Papa - në një mori vendesh vijojnë persekutimet e tmerrshme, deri në provën më të lartë të martirizimit. Sa e sa vëllezër e motra tona në fe pësojnë nëpërkëmbje, dhunë e urrejtje, për shkak të Jezusit!”.

Sot kemi një numër shumë më të madh martirësh, në krahasim me shekujt e parë. Kur shfletojmë historinë e lexojmë ngjarjet e atyre shekujve, këtu, në Romë, njihemi me  mizoritë e tmerrshme, që pësuan asokohe të krishterët: por unë po ju them, e njëjta mizori ushtrohet edhe sot para syve tanë, e madje viktimat janë me numër shumë më të madh, e më i rreptë është edhe persekutimi i të krishterëve.

Më pas, Papa i kujtoi posaçërisht mbarë të krishterët e persekutuar:

“Sot dëshirojmë të flasim për ata, që pësojnë persekutime, atyre u kushtohet sot dhembshuria jonë, lutja jonë e edhe vajtimi ynë”.

Më pas, një kujtim i posaçëm për të krishterët e persekutuar në Irak, shembull besnikërie ndaj Ungjillit, që - tha Papa - e kremtuan Krishtlindjen në katedralen e tyre të rrënuar. Pavarësisht nga provat e rreziqet, e dëshmuan dhe vijojnë të dëshmojnë me guxim se i përkasin Krishtit…:

“…dhe e jetojnë Ungjillin, duke u angazhuar në favor të më të fundmëve, më të lënëve pas dore, duke u bërë mirë të gjithëve, pa kurrfarë dallimi: dëshmojnë kështu dashurinë e krishterë në vërtetësi”.

Prej këndej ftesa e Françeskut drejtuar gjithë besimtarëve që ta përtërijnë vullnetin e hareshëm dhe guximtar për ta ndjekur pas Jezusin, si prijësin e tyre të vetëm…:

“… pa hequr dorë nga jeta sipas mendësisë ungjillore e duke refuzuar  mendësinë e sundimtarëve të kësaj bote”.

Pas lutjes mariane Papa shprehu ngushëllimet për viktimat  e avionit rus,  rrëzuar dje në Detin e Zi:

“Zoti e ngushëlloftë  popullin e dashur rus dhe familjarët e udhëtarëve që ishin në avion: gazetarë, ekuipazhi dhe kori i shkëlqyer si dhe orkestra  e Forcave të armatosura”.

Është pikërisht kori, që dha shfaqje në Vatikan në vitin 2014, me rastin e 26-vjetorit të papnisë së Gjon Palit II.

Françesku falënderoi, në përfundim, të gjithë ata, të cilët i dërguan mesazhe urimi, që vijojnë të arrijnë në Vatikan nga mbarë bota:

“Me që nuk kam mundësi t’i përgjigjem secilit, u shpreh të gjithëve falënderimet më të ndjera, posaçërisht për dhuratën e lutjes. Ju falënderoj nga zemra. Zoti jua shpërbleftë me bujarinë e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.