2016-12-25 12:30:00

Paqe për gjithë botën: Mesazhi Urbi et Orbi i Papës Françesku


Përmendet 20 herë fjala paqe, në mesazhin e sotëm Urbi et Orbi të Papës Françesku. Paqe për botën mbarë, duke u nisur nga Siria e Halebi, për të përshkuar Tokën Shenjte, Afrikën, Ukrainën, Kolumbinë, Mianmarin…; paqe për ata që vuajnë, që brengosen nga hallet e jetës, viktima të trafikut e të lakmisë së të pushtetshmëve e të zotit-para. Ky ishte mesazhi i Atit të Shenjtë në ditën e Krishtlindjes, në mesditë nga llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, nga ku ritingëlloi sërish kumti profetik i lindjes së Foshnjës së Betlehemit, i Princit të Paqes.

         “Pushteti i kësaj Foshnjeje, Bir i Zotit e i Marisë, - vuri në dukje Papa - nuk është pushtet i kësaj bote, bazuar mbi forcën e mbi pasurinë; është pushteti i dashurisë. Është pushteti, që krijoi qiellin e tokën, që i jep jetë çdo krijese: mineraleve(tokës), bimëve, kafshëve; është forca që tërheq burrin e gruan dhe i bën një trup të vetëm, një ekzistencë të vetme; është pushteti që lind jetën, që fal fajet, që pajton armiqtë, që e shndërron të keqen në të mirë. Është pushteti i Zotit. Për këtë pushtet të dashurisë Jezu Krishti u zhvesh nga lavdia e Tij e u bë njeri; më pas dha jetën në kryq e u ngjall së vdekurish. Është pushteti i shërbimit, që vendos në botë themelet e mbretërisë së Hyjit, mbretëri drejtësie dhe paqeje”.

         E së bashku me engjëjt, e përshkon krejt tokën e arrin tek të gjithë popujt, kënga e lavdit për Hyjin “në më të lartin qiell”, kënga që u uron paqen njerëzve vullnetmirë mbi tokë. E këtu, Papa Françesku fillon një sërë urimesh për paqen në të katër anët e botës, në një listë, që duket pa fund, aq shumë janë gjendjet e ndërlikuar e vendet pa paqe e pajtim:

         “Paqe, burrave e grave të Sirisë së martirizuar, ku është derdhur tepër gjak. Sidomos në qytetin e Halebit, teatër i njërës prej betejave më barbare gjatë javëve të fundit, është urgjente më shumë se kurrë  që, duke respektuar të drejtën humanitare, t’i garantohet ndihmë dhe ngushëllim popullsisë civile të rraskapitur, e cila akoma vuan në një gjendje të dëshpëruar, me mundime e mjerim të madh. Është koha të heshtin armët një herë e përgjithmonë e bashkësia ndërkombëtare të impenjohet aktivisht për arritjen e zgjidhjes me bisedime që të rivendoset bashkëjetesa civile në vend”.

         Paqe, vijoi të bëjë thirrje Papa Françesku, duke e hedhur vështrimin mbi Tokën Shenjte e duke u kërkuar izraelitëve e palestinezëve guximin dhe vendosmërinë për të shkruar një faqe të re në histori, në të cilën urrejtja dhe hakmarrja t’ia lënë vendin vullnetit për të ndërtuar së bashku një të ardhme në mirëkuptim e harmoni të ndërsjelltë. Po kështu, edhe për Irakun, Libinë dhe Jemenin, ku popullsitë vuajnë nga lufta dhe nga akte brutale terroriste. E më pas:

         “Paqe, burrave dhe grave të rajoneve të ndryshme të Afrikës, sidomos në Nigeri, ku terrorizmi fundamentalist shfrytëzon edhe fëmijët për të përhapur tmerr dhe vdekje. Paqe në Sudanin Jugor e në Republikën Demokratike të Kongos, që të kapërcehen ndarjet e të gjithë njerëzit vullnetmirë të punojnë për të nisur një udhë zhvillimi e bashkëpunimi, duke parapëlqyer kulturën e dialogut në vend të logjikës së ndeshjes”.

         E Papa u uroi paqen burrave dhe grave, që edhe sot, vuajnë nga pasojat e konfliktit në Ukrainën lindore, por edhe popullit kolumbian, që synon të ndërmarrë një udhë të re e të guximshme dialogu e pajtimi. Ky guxim, nënvizoi, të nxisë edhe Venezuelën për t’u dhënë fund tensioneve aktuale. Ati i Shenjtë përmendi të gjitha ato zona, ku njerëzit vuajnë për shkak të rreziqeve e të padrejtësive; foli për Mianmarin, duke kërkuar të favorizojë bashkëjetesën paqësore; uroi që gadishulli korean të kapërcejë problemet e pastaj, vijoi:

         “Paqe, kujt i është brengosur shpirti e kujt ka humbur njeriun e dashur, për shkak të akteve mizore të terrorizmit, që kanë mbjellë frikë e vdekje në zemër të shumë vendeve e qyteteve. Paqe – jo me fjalë, por me fakte konkrete – për vëllezërit e motrat tona të braktisura e të mënjanuara, për ata që kanë uri e për viktimat e dhunës. Paqe për azilkërkuesit, emigrantët e refugjatët, për ata, që janë objekte të trafikut të njerëzve. Paqe për popujt, që vuajnë nga ambiciet ekonomike të pak vetëve e nga lakmia e babëzitur e zotit-para, që sjell skllavëri. Paqe, të prekurve nga mjerimi shoqëror dhe ekonomik, të munduarve nga pasojat e tërmeteve, ose të fatkeqësive të tjera natyrore”.

         Paqe fëmijëve, ngriti zërin Papa Françesku, në këtë ditë të veçantë, në të cilën Hyji bëhet fëmijë. Ati i Shenjtë nuk harroi të përmendë ata, që privohen nga gëzimet e fëmijërisë, për shkak të urisë, luftës dhe egoizmit të të rriturve. E as të gjithë njerëzit vullnetmirë, që çdo ditë punojnë, me maturi e durim, në familje e në shoqëri, për të ndërtuar një botë më njerëzore e më të drejtë, të mbështetur nga bindja se vetëm me paqen ekziston mundësia për një të ardhme më të begatë për të gjithë. E së fundi, duke cituar Isainë profet, iu drejtua të gjithëve:

         ““Na lindi një foshnjë, fituam një djalë”: është “Princi i paqes”. Ta mirëpresim!”.

         Pas bekimit Urbi et Orbi, Romës dhe botës, Papa Françesku u bëri urimet e Krishtlindjes të pranishmëve të shumtë, që kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, por edhe atyre, që në të gjithë botën, u lidhën përmes radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Përfundoi me fjalët:

         “Në këtë ditë gëzimi jemi të thirrur të gjithë të kundrojmë Jezusin Fëmijë, që i jep shpresë çdo njeriu mbi faqen e tokës. Me hirin e Tij, t’i japim zë e ta bëjmë të prekshme këtë shpresë, duke dëshmuar solidaritetin e paqen. Për shumë mot Krishtlindjen të gjithëve!”








All the contents on this site are copyrighted ©.