2016-12-25 13:40:00

Papa: për Krishtlindje t’i lëmë të na flasin fëmijët në luftë e emigrantët


Përballë mendësisë së botës, që  e  ka  marrë peng Krishtlindjen, ta lëmë të na flasë Foshnjën e grazhdit, që është gjithnjë shenja për ta gjetur Jezusin.  Kjo, nxitja e Papës në Meshën e Natës së Krishtlindjes, kremtuar në Shën Pjetër. E Françesku na fton të shkojmë edhe më përtej:

“Ta lëmë Foshnjën e grazhdit të na flasë nga kashta, por t’i lëmë të na flasin edhe fëmijët, që sot nuk tunden në djep, as nuk ledhatohen me dashuri nga nëna a nga babai, sepse dergjen në ‘grazhdet e dinjitetit’ të nëpërkëmbur, në strehimet e nëndheshme, për të shpëtuar nga bombardimet, në trotuaret e qyteteve të mëdha, në fundet e barkave të mbingarkuara me emigrantë”.

Papa vijon të na kujtojë se nuk duhet të qëndrojmë indiferentë edhe përballë fëmijëve, që nuk lejohen as të dalin në dritë, përballë atyre që qajnë, sepse askush nuk ua shuan urinë, atyre që nuk kanë në duar lojëra, por armë! Nga ana tjetër - shpjegoi Papa – në Fëmijën, që na u dhurua, bëhet konkrete dashuria e Zotit për ne. Zoti nuk është i pranishëm ndërmjet të mëdhenjve, nuk duket në sallën e fisme të një pallati mbretëror, por në varfërinë e një stalle; nuk është ndër analet e dukjes, por në thjeshtësinë e jetës, nuk  është në pushtet, por në vogëlsi, që të mahnit: “E, për ta takuar, duhet të shkosh atje ku është, duhet të përkulesh, të ulesh, të bëhesh i vogël. Fëmija që lind, na flet, na kërkon mendimin tonë, nësa bën thirrje t’i braktisim iluzionet e kalimtares, për të shkuar tek themelorja, për të hequr dorë nga pretekstet tona të pangishme, për ta braktisur pakënaqësinë dhe  trishtimin për gjithçka që na mungon. Na bën mirë t’i lëmë mënjanë këto gjëra, për të rigjetur thjeshtësinë e Zotit-Foshnjë, paqen, gëzimin, kuptimin e ndritshëm të jetës”.

Misteri i Krishtlindjes është njëkohësisht shprese e trishtimi. Sjell me vete shijen e trishtimit, sepse - kujtoi Papa - dashuria nuk mirëpritet, jeta shikohet si hedhurinë. Kështu u ndodhi Jozefit e Marisë, që i gjetën portat e mbyllura dhe e vunë Jezusin në një grazhd, “mbasi për ta nuk kishte vend në bujtinë”:

“Jezusi lind i papranuar nga disa e i rrethuar nga indiferenca e shumicës. Edhe sot mund ta vërejmë të njëjtën indiferencë, kur Krishtlindja bëhet festë, në të cilën protagonistë jemi ne, në vend që të ishte Ai; kur dritat e tregtisë e flakin në errësirë dritën e Zotit; kur shqetësohemi për dhuratat e mbetemi fare të pandjeshëm përballë njeriut të lënë krejtësisht pas dore. Kjo mendësi e botës na e mori peng Krishtlindjen, duhet ta lirojmë!”.

Por Krishtlindja – vijoi Françesku - ka posaçërisht shijen e shpresës, sepse, pavarësisht nga terrinat tona, drita e Zotit shkëlqen. Drita e tij e fisme nuk të ngjall frikë; Zoti, i dashuruar me ne, na tërheq me njomësinë e vet, duke lindur i varfër e i brishtë mes nesh, si njëri nga ne:

“Lind në Betlehem, që do të thotë ‘shtëpia e bukës’. Duket, kështu, sikur dëshiron të na thotë se po lind si bukë për ne: se vjen në jetë, për të na dhënë jetën e Tij; vjen në botën tonë, për të na sjellë dashurinë e Tij. Nuk vjen të përlajë, as të komandojë, por të ushqejë e të shërbejë. Kështu është një fill i drejtpërdrejt, që lidh grazhdin  me kryqin, ku Jezusi do të jetë bukë e thyer; është filli, i cili e lidh drejtpërdrejt dashurinë, që dhurohet me atë, që shëlbon, që i jep dritë jetës sonë e paqe zemrave tona”.

Këtë e kuptuan mirëfilli barinjtë, të  mënjanuarit e asaj kohe. Po në sytë e Zotit nuk mënjanohet askush, e prandaj qenë pikërisht ata, të ftuarit e Krishtlindjes. Kush ishte i sigurt në vetvete, kush ishte plot me vetveten, ishte në shtëpi, ndërmjet rraqeve të veta; ndërsa “barinjtë shkuan me nxitim”(Krh Lk 2,16). Ta lëmë edhe ne Jezusin të na flasë këtë natë, të shkojmë tek Ai me besim, duke u nisur nga kufizimet tona, duke u nisur nga mëkatet tona:

“Ta lëmë të na prekë me njomësinë, që shpëton. T’i afrohemi Zotit, që bëhet i afërt, të ndalemi e ta kundrojmë Shpellën e Betlehemit, ta përfytyrojmë lindjen e Jezusit: dritën e paqen, kulmin e varfërisë e të mospranimit. Të hyjmë në Krishtlindjen e vërtetë bashkë me barinjtë, t’i çojmë Jezusit gjithë çka jemi, mënjanimet tona, plagët tona të pambyllura, mëkatet tona”.

Kështu, në Jezusin, do të shijojmë shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes: ta provojmë sa bukur është të ndjesh se të do vetë Zoti. Me Marinë e Jozefin të rrimë para grazhdit, para Jezusit, që lind si bukë për jetën tonë, timen. Ta kundrojmë dashurinë e Tij të përvujtë e të pafundme, t’i themi thjesht faleminderit; faleminderit që e bëre gjithë këtë për ne”, përfundoi Françesku para se ta vendoste Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betlehemit  të Bazilikës, realizuar në njërën nga Kapelat anësore. Papa u nis me procesion drejt Shpellës, i shoqëruar nga 12 fëmijë nga mbarë bota, simbol i atyre të vegjëlve, të cilëve Françesku ia kushtoi mendimin e tij të Krishtlindjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.