2016-12-23 13:44:00

Krishtlindja është te dera. Papa e kremton solemnitetin në bazilikën e Shën Pjetrit.


Krishtlindja tashmë është te dera. E nesër, 24 dhjetor, Natën e Shenjtë të festës së Lindjes së Jezu Krishtit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në ora 21.30. Pasnesër, 25 dhjetor, Ditën e Krishtlindjes, në ora 12.00 nga Shën Pjetri në Vatikan, Papa Bergoglio do t’i drejtojë Romës e Botës mesazhin e Krishtlindjes dhe Bekimin e tij Apostolik.

Kështu, Papa e me të edhe mbarë Kisha, na ftojnë të gjithëve, ta kremtojmë këtë Solemnitet pa e harruar protagonistin e festës, do të thotë Jezusin Fëmijë. Pra, për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit, në vend të shpenzimeve e të zhurmave. Për Krishtlindje, ashtu si Maria, t’i bëjmë vend Jezusit, që vjen. Kjo këshilla e Kishës në festën më të bukur të vitit, Krishtlindjes, që u kujton të krishterëve frymën, me të cilën duhet jetuar lindja e Foshnjës Hyjnore. Kisha është në pritje, ashtu si Maria, që mezi ç’pret ta shohë në fytyrë birin e saj. Edhe ne, si Kishë, e shoqërojmë Zojën Mari në këtë kohë, duke pritur me padurimin e saj.

Zoti vjen dy herë. Tani përkujtojmë lindjen e Tij fizike, por Hyji do të vijë sërish në fundin e kohëve. Ka edhe një ardhje të tretë, siç pohon Shën Bernardi: “Ka një ardhje të tretë të Zotit: ajo e çdo dite. Hyji i bën vizitë çdo ditë Kishës së Tij! Viziton secilin prej nesh e shpirti ynë bëhet më i ngjashëm me Të: shpirti ynë i ngjan Kishës, shpirti ynë i ngjan shën Marisë. Etërit e shkretëtirës thonë se Maria, Kisha e fryma (shpirti) jonë janë femërore e ç’mund të thuhet për njërën, mund të thuhet edhe për tjetrën. Shpirti ynë është në pritje, në pritje për ardhjen e Hyjit; zemër e hapur që e thërret: “Eja, o Zot!”

E Shpirti Shenjt e nxit secilin prej nesh,  që këto ditë të lutet, e posaçërisht në pragun e Krishtlindjes duke thënë “Eja! Eja!”. Gjatë Kohës së Ardhjes kemi qenë gjithnjë zgjuar, si Maria. Kjo vigjilencë është virtyt i shtegtarit. Të gjithë jemi shtegtarë, të gjithë në pritje. Kështu, tani që jemi krejt pranë Betlehemit,  pyesim: jemi në pritje, apo të mbyllur në vetvete? Jemi vigjilentë, apo të sigurt në ndonjë hotel, që kemi hasur gjatë udhës e nuk duam të ecim më përpara? Jemi shtegtarë, apo endacakë? Prandaj Kisha na fton të lutemi me fjalën ‘Eja!’, sepse kështu ia hapim portat zemrës dhe e mësojmë shpirtin të jetë në pritje. Të vigjilojë! …Ç’ndodh me shpirtin tonë, kur Zoti vjen e ç’ndodh kur nuk vjen? Ka vend për Zotin, apo ka vend vetëm për festë, për shpenzime, për zhurmë… A e kemi të hapur zemrën, siç e ka hapur portën Kisha Nënë e siç e kishte Zoja? Apo shpirti ynë është bërë sa një grusht dhe në portë kemi varur një pusullë – me fjalë plot edukatë – që thotë: ‘Ju lutem, mos na shqetësoni!’.

Me fjalët e  antifonave të mëdha të Nëntëditëshit që paraprin Krishtlindjen, të kërkojmë e urojmë: “O urti, o çelësi i Davidit, o mbret i popujve, eja!”.
E sot, të përsërisim shumë herë ‘Eja!’ e të përpiqemi, që shpirti ynë të mos thotë: ‘Mos më shqetëso!’. Jo! Të jetë shpirt i hapur, të jetë shpirt i madh, për ta pritur Zotin e për ta dëgjuar atë, që na thotë Kisha në festën e Krishtlindjes me anë të antifonës: ‘Ta dini se sot vjen Zoti! E nesër do të shihni lavdinë e Tij!’.








All the contents on this site are copyrighted ©.