2016-12-23 13:16:00

Do të shpallen të Lum 109 martirë të Luftës Civile Spanjolle


Papa Françesku priti dje Prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, të cilin e autorizoi ta bëjë të njohur dekretin e shenjtërimit të rregulltarit skolop, atë Faustino Miguez, si edhe dekretet e lumnimit për 110 të Lum të rinj: një murgeshë dhe 109 martirë të Luftës Civile Spanjolle. U njihen virtytet heroike edhe 5 Shërbëtorëve të Zotit.

“Si skolop jam i popullit dhe për popullin, i përkushtuar për formimin e tij”. Kështu e përmblidhte atë Faustino Miguez thirrjen e tij e të urdhërit, të cilit i përkiste. Kjo thirrje e Zotit e çoi nga vendi i lindjes, Xamiras në Spanjë, në noviciatin e Shkollave të Mëshirshme të Shën Fernandit në Madrid e pastaj në kolegje të ndryshme, ku qe edukator, “më i miri”, siç thoshin për të, sepse i shndriste të rinjtë me idetë e së mirës. U kujdes sidomos për vajzat e varfëra, që i konsideronte “nuset dhe nënat e së nesërmes”, shpirti i gjallë i familjeve, që do të formonin shoqërinë e së ardhmes. Nga ky impenjim lindi Kongregata e Bijave të Bareshës Hyjnore, sipas frymës kalasanciane, në Sanlucar de Barrameda.

Gjatë një udhëtimi në Kubë për të çuar edhe atje Krishtin, u dashurua pas shkencës: nga preparatet e tij dolën në treg 12 ilaçe. Iu dha detyra të analizonte ujrat e bashkësisë së Sanlucar e aty, themeloi edhe laboratorin Miguez, gjithnjë me idenë e “shërbimit për njerëzimin e vuajtur”. Mbrojtës i palodhur i lirisë së mësimdhënies, ishte edukator i lindur, i bindur se vetëm edukimi mund të jetë rruga për arritjen e lumturisë e për ndryshimin e botës. Gjatë jetës së tij, e cila përfundoi në vitin 1925 në qytetin Getafe, shkenca e përvuajtëria ecën së bashku.

Ndërkaq, të Lumët e rinj do të jenë 110. Ndër ta, spikat motër Leopoldina Naudet, fiorentinase, që ka jetuar ndërmjet shekullit XVIII e IX, kujdestare, së bashku me të motrat, për fëmijët e Grandukës së Lorenës. E ndoqi familjen e tij edhe në Vjenë, kur u bë perandor habsburg. Më vonë mori pjesë në planin për formimin e një fondacioni femëror me frymë injaciane e me qëllime edukative. U takua me Shën Madalenën e Kanosës, me të cilën bashkëpunoi për 8 vjet, duke u dhënë mësim shtresave më të varfëra. Më pas, ajo vetë themeloi Kongregatën e Motrave të Familjes Shenjte.

Janë martirë të Luftës Civile Spanjolle, vrarë për shkak të fesë në vitet 1936-37, të Lumët e tjerë: atë Matteo Casals, meshtar, epror i bashkësisë klaretiane të Sabadelit; Teofilo Casajùs, rregulltar skolastik; Fernando Saperas Aluja, fratel i bashkësisë së klaretianëve të Çerverës, vrarë së bashku me 106 shokë të Kongregatës së Misionarëve – Bij të Zemrës së Papërlyer të së Lumes Virgjër Mari.

Me dekretet e nënshkruara nga Papa Françesku, mund të nderohen edhe pesë Shërbëtorë të rinj të Zotit:

Giovanni Battista Foque, meshtar dioqezan, lindur më 12 shtator 1851 e vdekur më 5 dhjetor 1926.

Lorenzo i Shpirtit Shenjt, rregulltar i Kongregatës së Mundimeve të Jezu Krishtit, lindur më 30 gusht 1874 e vdekur më 14 tetor 1953.

Maria Raffaella e Zemrës së Krishtit, themeluese e Kongregatës së Misionareve të Zemrës së Krishtit e të Zojës, lindur më 2 janar 1814 e vdekur më 8 mars 1899.

Clelia Merloni, themeluese e Institutit të Apostulleve të Zemrës së Krishtit; lindur më 10 mars 1861 e vdekur më 21 nëntor 1930.

Isidoro Zorzano Ledesma, laik, i Prelaturës Personale të Shenjtes Krygjë e të Opus Dei-t; lindur më 13 shtator 1902 e vdekur më 15 korrik 1943.








All the contents on this site are copyrighted ©.