2016-12-23 11:04:00

Atë Anton Luli S.J. “Nata e Krishtlindjes në nevojtore”


Në pragun e Krishtlindjes, ju ftojmë të ndiqni tregimin rrëqethës të jezuitit shqiptar, Atë Anton Luli, i cili pati kaluar vite të tëra në burgjet e kampet e komunizmit në Shqipëri. Ai na përshkruan natën më të pazakontë të Krishtlindjes. Titullohet “Krishtlindje në një nevojtore burgu”.

Atë Anton Luli, jezuit shqiptar, ishte tejet i njohur në kohën kur Krishtlindja kremtohej publikisht, para kohës së regjimit komunist, si një nga Festat më të mëdha të vitit. Pas dimrit të egër të diktaturës ateiste dhe kalvarit që kaloi ai e bashkë me te edhe qindra e qindra klerikë e qytetarë shqiptarë, Atë Anton Luli na rrëfeu atë periudhë të ferrit komunist plot vuajtje, por edhe plot qëndresë e shpresë. Po e kujtojmë, prandaj me pak fjalë jetën e tij heroike e shenjte.

I lindur më 15 qershor 1910, në Lohe, Atë Anton Luli, në vitin 1991 figuronte martir në katalogun e përvitshëm të jezuitëve, botim i vitit 1989. E si martir paraqitej edhe në Buletinin Katolik, që dilte në Amerikë, ku botohej fotografia e tij, me shënimin: “Martir për fe”. Po jezuiti, autor i librit “Già dato per martire” (Ne e dinim martir; Edizioni ADP, 1993), nga i cili shkëputëm për emisionin e sotëm fragmentin “Nata e Krishtlindjes në nevojtore”, ishte gjallë. E, më 7 nëntor 1996 pati hirin të përshëndesë Papën Shën Gjon Pali II, në 50 vjetorin e meshtarisë.

Episodi i parë i librit të atë Antonit, titullohet “Loja me top”.  Episodi i dytë që më vjen në mend, shkruan jezuiti shqiptar, është ai i “Natës së Krishtlindjes”:

Isha në burg atë natë, kur mbarë bota e krishtenë përkujtonte lindjen e Jezu Krishtit me një festë shumë prekëse. Shefi i policisë më zvarriti në një nevojtore tanë handrak, në katin sipër. Aty më urdhnoi me u zhdeshë picak. Mandej lavari nji litar në tra, ma kaloi nën stjetulla e më detyroi me u çue në maje të gishtave. Më lidhi fort. Në mënyrë që trupi të mos mujte me pushue, tue e prekë tokën me kambë. E ngrehi litarin e ndjeva një dhimbje të mprehtë. M’u duk se m’u thyen tanë eshtënt. Mbeta varë ndërmjet tavanit e dyshemes, të cilën e prekshe sapak vetëm me majet e gishtave të kambëve. 
Bota kremtonte Natën e Krishtlindjes. Ndërsa këtu ishte terr, shi, ftohtë. Mbeta varë, në heshtje të thellë. Një gjysëm ore, ndoshta. A një orë. Nuk më kujtohet sa. Mandej ndjeva se po më akulloheshin kambët e akulli ngjitej kadalë-kadalë. Ngjitej në gjuj, në stomak mandej... edhe pak, edhe pak, e do të mbërrinte në zemër. Më kapën të dridhuna të forta. Nuk isha ma në gjendje me e sundue trupin tem, varun në terrin e zi të natës ma të shndritshme të vjetës. Thashë me vedi: “Tashti do të des me siguri. Vjerrë mbi handrakun e nevojtores së palame qyshkur. Në vend që të isha pranë elterit, la me dritën e Natës së Madhe!”.
Ndjeva se akullina po më prekte zemrën. Atëherë nisa me bërtitë me disprim. Shefi i policisë më ndigjoi e vrapoi në atë gjiriz, ku kalojshe, ndoshta, natën e fundit të Krishtlindjes, e të jetës. Më preku nën gju. E pa se po jepshe shpirt. Nuk i duhesha gja i dekun... Më zgjidhi, prandej, shpejt shpejt e më çoi në dhomën e tij. Aty ishte një stufë e ndezun. Më vuni aq pranë stufës, sa kjesh në rrezik me u djegë për së gjalli. Sepse trupi ishte ngri aq, sa nuk e ndiente ma nxehtësinë. Vetëm mbas një gjysë ore jeta nisi me u kthye në trupin e mardhun... Nata e Krishtlindjes... Isha gjallë!
”. 

Kur tashmë kishte pranë bombolën e oksigjenit, në shtëpinë e bashkëvëllezërve jezuitë në Sheshin e Jezusit në Romë, shkuam ta shihnim e të flisnim me atë Anton Lulin. Pati mirësinë të na jepte një intervistë, në të cilën përshkruan këtë Natë Krishtlindjeje, që sapo e lexuat, por edhe netë të tjera Krishtlindjesh pasi u lirua nga burgu e pasi u hapën kishat në Shqipëri. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Klaudia Bumçit…

 








All the contents on this site are copyrighted ©.