2016-12-22 14:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: duroji ata që të mërzisin e lutju Hyjit për të gjallë e të vdekur


Sot, pikërisht para Krishtlindjes, përfundon cikli ynë kushtuar veprave të mëshirshme. Do të flasim për dy veprat e fundit të mëshirshme të shpirtit: duroji ata që të mërzisin e lutju Hyjit për të gjallë e të vdekur.

Durimi është një virtyt, që sjell shëlbimin e lumninë e amshuar, ashtu siç thotë Shën Pali: “jini bujarë me të gjithë!” (1 Sel 5,14), “që, duke kryer vullnetin e Hyjit, t’i fitoni të mirat e premtuara” (Heb 10,36). Durimi duket në tërë shkëlqimin e vet në dy qëndrime të Zotit. Së pari, në historinë e shëlbimit të botës, brenda së cilës Hyji zbatoi planin e Tij për njeriun. Së dyti, në faljen, të cilën e dhuron me mëshirë të madhe nga brezi në brez, duke e përmbajtur zemërimin. Vërtet, në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti e quan veten “i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin” (Dal 34,6-7).

Në fillim të historisë së shëlbimit, Hyji bekon Abrahamin dhe i bën një premtim, që vë në lëvizje një proces tepër të gjatë, gjatë të cilit Zoti merr për dore popullin e Izraelit, duke e mësuar dalëngadalë ta lejojë që ta udhëheqë e t’i tregojë dashurinë e Tij hyjnore. Pra tregon me të durimin, për të cilin është i thirrur çdo i krishterë.

Sipas jezuitit dhe ekzegjetit fiaming, Cornelio a Lapide, Shën Pali na jep 12 motive për ushtrimin e durimit: “I pari është se ne jemi trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, nëse  vuajmë bashkë me Të e sipas shembullit të Tij (shih Rom 8,17). I dyti është se nëse tregojmë durim, do të lavdërohemi bashkë me Të (Ib.). I treti qëndron në faktin se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme, që do të zbulohet në ne (Ib. 18). Fitimi i lavdisë së amshuar me vuajtje të përkohshme është përfitim shumë më i mirë se sa të blesh gjithë botën me para. Motivi i katërt është se vështirësitë tona të lehta dhe të përkohshme, nëse tolerohen me durim, na sjellin një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe (shih 2 Kor 4,17). I pesti është se krijesa do të lirohet nga skllavërimi i korrupsionit (Rom 8,21). Kjo siguri duhet të na inkurajojë të kemi durim. I gjashti është se nga skllavëria e korrupsionit do të kemi pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit (Ib.).

Arsyeja e shtatë e ka bazën në faktin se çdo krijesë gjëmon dhe vuan (Ib. 22). Që nga fillimi i botës, krijesat kanë pasur mundime; njeriu, të cilin i mbetet pak kohë për të vuajtur, duhet të ketë durim e të mos kërkojë t’u ikë mundimeve, sepse kjo do të ishte diçka që s’ndodh zakonisht, por duhet t’i përballojë ato. Motivi i tetë është se ne presim shpërblimin e trupit (Rom 8,23). Në sajë të durimit, trupi ynë i sëmurë nuk do të ndjejë më dhimbje e do të lartohet në lavdi. I nënti është se shëndeti ynë vjen nga shpresa (Ib.24). Nëse shpresojmë se do të jemi shpejt të lirë e të shëlbuar, nuk duhet ta humbin durimin e as të çkurajohemi. I dhjeti vjen nga fakti se Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë e lutet për ne me ofshamë të patregueshme (Ib. 26). Si ka mundësi, që të mbështetur nga kjo ndihmë, ankohemi e mërmërisim? I njëmbëdhjeti është se ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan (Ib. 28). Prandaj, fyerjet, varfërinë, sëmundjet, persekutimet e çdo të keqe kundër nesh duhet t’i durojmë për hir të Zotit. Motivi i dymbëdhjetë është se Hyji, ata që janë të durueshëm për hir të Tij, i paracaktoi dhe i grishi (Rom 8,29-30)”.

Vepra e dytë e mëshirës, që shqyrtojmë sot, është “lutja për të gjallët e për të vdekurit”. Lutja është përpjekja për t’u lidhur me Zotin, duke filluar një dialog pyetjesh e përgjigjesh, fjalësh e dëgjese. Njeriu i drejtohet Zotit, duke ndjekur zemrën e vet e, Hyji i zbulohet njeriut si Krijues dhe e dëgjon. Këto janë dy çastet e lutjes: takimi me Zotin dhe dëgjimi i Zotit. Lutja është aspekt i rëndësishëm i jetës së besimtarit që në Besëlidhjen e Vjetër, por lutjen për të tjerët, madje, edhe për armikun, na e ka lënë Jezu Krishti. Është lutje për të gjitha ata, që besojnë në Lajmin e Mirë:

“Unë për ta lutem – e citon Shën Gjoni në Ungjill. Nuk lutem për botën, por për ata që ti m’i dhe, sepse janë të tutë. Gjithçka kam unë është jotja e çka ke ti imja, dhe në ta u lavdërova. Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë, e unë po vij te ti. O Atë i shenjtë! Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne! (Gjn 17,9-11)”.

Prandaj, detyra e çdo të krishteri është të lutet, duke iu drejtuar Shpirtit Shenjt për nevojat e të tjerëve, për vuajtjet e shqetësimet e tyre, për ankthet e problemet, por sidomos për shpëtimin e shpirtrave. Qëllimi kryesor i lutjes është që njerëzit ta lënë mëkatin e të ecin në udhën e Zotit, që na çon drejt amshimit. E në këtë kuadër, hyn edhe lutja për të vdekurit, e cila shpreh besimin në Zotin e mëshirshëm, që nuk e braktis shpirtin edhe pas vdekjes. Në këtë rast, lutja synon ta lartojë shpirtin e të vdekurit drejt Parajsës, pranë Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.