2016-12-22 13:55:00

Papa: Krishtlindja e përmbys logjikën e pushtetit e të komandimit


Papa Françesku u takua sot, në Sallën Klementine, në Vatikan, me anëtarët e Kuries Romake për urimet tradicionale të Krishtlindjes. Në qendër të fjalës së tij, kriteret udhëheqëse të reformës së Kuries.

“Zotit i pëlqeu të lindte i vogël, sepse deshi ta donin. Ja sesi logjika e Krishtlindjes është përmbysje e logjikës së pushtetit, e logjikës së komandimit, logjikës farizeistike, logjikës kauzalistike ose deteministike”. E theksoi Papa Françesku gjatë fjalimit drejtuar kardinajve dhe eprorëve të Kuries Romake, të cilët i priti sot në Sallën Klementine, për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes.

Krishtlindja – pohoi Papa – është festa e përvujtërisë dashuruese të Zotit,  atij Zoti, që e kthen përmbys rendin e parashikuar logjikisht, rendin e domosdoshmërisë, rendin dialektik e matematik. Për Krishtlindje - vijoi Papa - jemi të thirrur t’i themi ‘po’ me fenë tonë, jo Sundimtarit të Universit e as më të fismes ndërmjet ideve, por pikërisht këtij Zoti, “dashurues-i-përvuajtur”. E, duke cituar Palin VI, Françesku nënvizoi se Zoti erdhi si më i vogli njeri, si më i brishti, më i ligshti. E pse e bëri këtë? E bëri, që askujt të mos i vinte turp kur t’i afrohej, askush të mos kishte frikë e të gjithë të mund ta kishin pranë, t’i rrinin pranë e të mos kishte kurrfarë distance ndërmjet njeriut e Zotit!

Papa vijoi të bënte listën e  12 “kritereve udhëheqëse të reformës së tij:

“Janë kryesisht dymbëdhjetë: individualitet, baritoritet, misionaritet, racionalitet, fuksionalitet, modernitet, përkoritet, susidiaritet, sinodalitet, katolicitet, profesionalitet, gradualitet.

Individualitet apo kthesë personale, domethënë kthesë individuale, pa të cilën do të jenë krejt të kota të gjitha ndryshimet në struktura.

Baritoriteti ka të bëjë me kthesën baritore, sepse angazhimi i gjithë personelit të Kuries duhet të frymëzohet nga baritoriteti, nga përshpirtëria  e shërbimit dhe e bashkimit, mbasi ky është ilaçi kundër të gjitha helmeve  të ambicieve të kota dhe të rivalitetit të rremë.

Misionariteti (Kristocentrizmi) është qëllimi kryesor i çdo shërbimi kishtar, e kjo do të thotë ta çosh Lajmin e Mirë në të katër skajet e tokës. Racionaliteti na kujton se është i nevojshëm racionalizimi i organizmave të Kuries Romake.

Përsa i përket funksionalitetit, shkrirja e mundshme e dy a më shumë dikastereve, në një Dikaster të vetëm, shërben për t’i dhënë  këtij Dikaster më shumë rëndësi (edhe të jashtme) duke ndihmuar edhe në funksionimin më të mirë të tij (siç e tregon shembulli i dy dikastereve të themeluara kohët e fundit).

Moderniteti (përditësimi) është aftësia për t’i lexuar e për t’i dëgjuar shenjat e kohës.

Tema e përkorjes na kujton se është i nevojshëm thjeshtësimi dhe shkathtësimi i Kuries: shkrija e dikastereve sipas natyrës së kompetencave  dhe thjeshtësimi i brendshëm i vetë dikastereve, me shfuqizimin e disa zyrave që nuk u përgjigjen më nevojave të mundshme.

 Susidiariteti apo ndihma, parashikon rishikimin e kompetencave të posaçme të dikastereve të ndryshme, duke i zhvendosur, në rast nevoje, nga një dikaster tek tjetri, për të siguruar autonominë, koordinimin, ndihmën në kompetencat si dhe në ndërlidhjen e shërbimit, pa harruar këtu, edhe  rolin e Sekretarisë së Shtetit, në mënyrë që, në kryerjen e detyrave të saj, ta ndihmojë drejtpërdrejt e menjëherë Papën. Françesku kujtoi edhe sinodalitetin që duhet të ndjehet fuqimisht në Kurie e në të gjitha dikasteret.

Katolicitetin, pastaj, që duhet të pasqyrojë universalitetin e Kishës (këtu është e nevojshme të parashikohet pjesëmarrja e një numri më të madh laikësh, posaçërisht në ato dikastere, ku laikët mund të jenë shumë më kompetentë sesa klerikët ose rregulltarët). Me rëndësi të veçantë, vlerësimi i rolit të gruas dhe të laikëve në jetën e Kishës, duke pasur parasysh edhe profesionalitetin e tyre e, sidomos, rolin e tyre udhëheqës në dikasteret, e duke e arkivuar përfundimisht praktikën e promoveatur ut amoveatur (i ngritur në përgjegjësi, për t’u lëvizur). Sepse ky është kancer! E, së fundi, shkallëzimi i zbatimit me etapa, “ad experimentum’ dhe elasticiteti i nevojshëm për të vënë në jetë një reformë të vërtetë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.