2016-12-22 14:04:00

Papa falënderon punonjësit e Vatikanit, kërkon punë të denjë për të gjithë


Papa falënderon punonjësit e Vatikanit, e përsëri i thotë jo “punës në të zezë”. Ati i Shenjtë Bergoglio u takua sot paradite me punonjësit e Vatikanit me rastin e urimeve të Krishtlindjes. I falënderoi për impenjimin e përditshëm, duke ripohuar se “duhet të angazhohemi, secili sipas përgjegjësisë, në mënyrë që puna të jetë e denjë, të respektojë personin dhe familjen, të jetë e drejtë”.

Puna ka rëndësi të madhe për jetën e çdo njeriu. E “ndërsa falënderojmë Zotin për dhuratën e punës, - tha Papa - lutemi për njerëzit dhe familjet, në Itali e në mbarë botën, për të gjithë ata njerëz që nuk kanë punë, apo, që shpesh herë, bëjnë punë jo të denja, punë të dëmshme për shëndetin, ose paguhen keq... Për punën,pra, duhet ta falënderojmë gjithmonë Zotin”. Pastaj, Papa Bergoglio nënvizoi:

“Duhet të impenjohemi, secili sipas përgjegjësisë që ka, në mënyrë që puna të jetë e denjë, të respektojë personin dhe familjen, të jetë e drejtë. E këtu në Vatikan kemi një arsye më shumë për ta bërë këtë, kemi Ungjillin, e duhet t'i ndjekim udhëzimet e Doktrinës shoqërore të Kishës. Këtu në Vatikan unë nuk dua punë, që nuk ndjek këtë udhë që na tregon Kisha: jo punës në të zezë, jo dredhive”.

Papa Françesku falënderoi secilin prej punëtorëve për punën e bërë, “për impenjimin e përditshëm në punë dhe për përpjekjen që ta bëjë punën sa më mirë, edhe atëherë kur ndoshta nuk është në gjendje të mirë a kur ka shqetësime në familje....”.

Vatikani është realitet i vogël, megjithëse këtu punojnë afër 3 mijë njerëz. Pikërisht për këtë, realiteti “mund të kuptohet në tërësinë e vet – tha Papa – me funksionet e ndryshme që e formojnë tërësinë e secili prej tyre është i rëndësishëm”:

“Sektorët e ndryshëm janë afër dhe të lidhur njëri me tjetrin, pak a shumë njihemi të gjithë; e ndjehet edhe kënaqësi kur sheh një lloj rregulli, një lloj rendi, kur sheh se gjërat funksionojnë, me të gjitha kufizimet, natyrisht, gjithmonë mund të bëhet edhe më mirë e duhet të përmirësohemi. Këtu, kjo është më e lehtë, sepse jemi një realitet i vogël, por kjo nuk i heq gjë impenjimit e meritës personale, prandaj, dua t'ju falënderoj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.