2016-12-21 11:29:00

Thirrje e Papës për Kongon: kush ka pushtet, të dëgjojë ndërgjegjen


Në një çast tepër të vështirë për Kongon, Papa Françesku bën edhe një herë thirrje për paqe, të nesërmen e takimit me kryetarin e me zv.kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të vendit e pas thirrjes së mëparshme për pajtim e qetësi, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës. Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, Ati i Shenjtë ngriti sërish zërin:

“U bëj edhe një herë thirrje të gjithë kongolezëve që, në këtë çast delikat të historisë së tyre, të jenë protagonistë të pajtimit e të paqes. Ata, që kanë përgjegjësi politike ta dëgjojnë zërin e ndërgjegjes, të dinë t’i shohin vuajtjet mizore të bashkëqytetarëve dhe ta kenë për zemër të mirën e përbashkët. Duke i siguruar mbështetjen dhe dashurinë time popullit të dashur të atij vendi, i ftoj të gjithë të udhëhiqen nga drita e Shëlbuesit të botës e lutem që Krishtlindja e Zotit të hapë rrugë shprese”.

Ndërkaq, në vend, vijojnë protestat kundër presidentit Kabila, i cili, pavarësisht se i ka përfunduar mandati që dje, vazhdon të mbajë pushtetin e nuk ka ndërmend të organizojë zgjedhje të reja. Në ndeshjet me policinë janë vrarë 26 vetë e janë arrestuar shumë të tjerë. Manifestuesit i vunë zjarrin qendrës së Partisë në fuqi, në Kinshasa.

Me ndërmjetësimin e Kishës Katolike, sot, fillojnë bisedimet ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës, të cilat u ndërprenë fundjavën e shkuar. Sipas Kushtetutës kongoleze, presidenti Kabila, i cili erdhi në fuqi pas vrasjes së të atit, në vitin 2001, nuk mund të paraqesë më kandidaturën, por një vendim gjyqësor i dha mundësinë të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e reja. Kjo është arsyeja pse nuk shpallet dita e zgjedhjeve, e cila duhej të caktohej për në nëntor, por është shtyrë, zyrtarisht, të paktën deri në vitin 2018.

Opozita e akuzon Kabilën për grusht shteti e për tradhti ndaj atdheut, duke e ftuar popullsinë dhe bashkësinë ndërkombëtare të mos ia njohë më autoritetin. Kërkon edhe caktimin e datës së zgjedhjeve, lirimin e të burgosurve politikë dhe rënien e akuzave kundër liderit të opozitës, Moise Katumbi, i cili, sipas partisë së Kabilës, ka marrë mercenarë për të rrëzuar pushtetin aktual. Opozita nuk duket e gatshme të pranojë ndonjë marrëveshje, para se Kabila të jetë larguar përfundimisht nga detyra.

Fatet e Kongos mbahen pezull që nga shtatori e negociatat e sotme vijnë pas dështimit të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Afrikan. Ndërhyrja e Kishës Katolike shpresohet të sjellë pajtimin e dëshiruar në një nga vendet më të varfëra të Afrikës, megjithëse me pasuri natyrore që arrijnë miliarda dollarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.