2016-12-21 12:32:00

Një xhandar dhe një zjarrfikës do të vendosin Krishtin Fëmijë në Betlehemin e Shën Pjetrit


Gjatë kremtimit të meshës në Natën e Krishtlindjes, këtë vit, do të jenë një xhandar dhe një zjarrfikës ata, që do të vendosin në grazhdin e Shpellës së Betlehemit të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan, shtatoren e Krishtit Fëmijë. Njoftimin e jep Guvernatorati i Qytetit të Vatikanit, i cili shpjegon se, sipas traditës, kjo do të ndodhë në çastin e këngës së Lavdit.

Eprorët vendosën të shprehin kështu vlerësimin dhe mirënjohjen për Xhandarmërinë e Vatikanit, e cila feston 200-vjetorin e themelimit. “Njerëz, - shkruhet në notë - të cilët janë vënë me bujari në dispozicion të të afërmit në vështirësi, duke punuar pa u kursyer”.

Menjëherë pas tërmetit të 24 gushtit e të atij të 30 tetorit në qendër të Italisë, zjarrfikësit dhe xhandarët e Vatikanit bashkëpunuan me forcat italiane të rendit, me Mbrojtjen Civile dhe me vullnetarët e shumtë, për të gërmuar në mesin e rrënojave e për të ndihmuar në nxjerrjen e njerëzve, por edhe për të kontrolluar e për të ruajtur fshatrat, në mënyrë që të parandalohej vjedhja në shtëpitë e shembura. Sidomos në Norça, vihet në dukje në komunikatë, zjarrfikësit janë kujdesur t’i shoqërojnë familjet për të marrë objektet personale në shtëpitë e tyre, si edhe kanë ndihmuar në nxjerrjen e veprave të artit nga rrënojat e tërmetit, në kisha të ndryshme të Kryedioqezës së Spoleto-Norçës.








All the contents on this site are copyrighted ©.