2016-12-21 12:57:00

Krishtlindje. Papa: na frymëzoftë mendime solidariteti


“Në shtëpitë e të krishterëve, gjatë Kohës së Ardhjes, përgatitet me shumë kujdes Shpella e Betlehemit, sipas traditës, që nis me Shën Françeskun e Asizit. Në thjeshtësinë e vet, Shpella e Betlehemit ngjall e përcjell shpresë. Çdo personazh i saj është i zhytur në këtë atmosferë”. Kështu e përshkroi Papa Shpellën e Betlehemit në audiencën e sotme të përgjithshme, e fundmja para Krishtlindjes.

"Krishtlindja ngjalltë në zemrat tona dëshira të mira e solidare". Me këtë urim iu drejtua Françesku shtegtarëve italianë gjatë përshëndetjeve në përfundim të audiencës, mbajtur në Sallën e Palit VI:

“Ju ftoj të gjithë të luteni e të angazhoheni në vepra mëshire, që Krishtlindja të jetë takim personal me Zotin e të frymëzojë në shpirtin tonë dëshira të mira e solidare”.

Në Sallën e Palit VI sot paradite, ndërmjet besimtarëve shtegtarë, ardhur si zakonisht nga të katër anët e botës, ishin edhe furrëtarët e AssoPanificatori të Romës si dhe skautët, me pishtarin e djepit të Shpellës së Betlehemit në dorë. Papa i përshëndeti, e pas tyre, sipas traditës, iu drejtua të rinjve, të sëmurëve dhe të sapomartuarve:

“Të dashur – u tha të rinjve të shumtë, mbledhur në Shesh – përgatituni për misterin e mishërimit me bindjen, fenë e përvujtërinë, tipike për Marinë.

Ju, të dashur të sëmurë, merrni prej Saj atë forcë e atë afsh që pati Ajo për Jezusin, i cili së shpejti vjen mes nesh.

E ju, të dashur bashkëshortë të rinj, kundrojeni shembullin e Familjes Shenjte të Nazaretit, për t’i jetuar të njëjtat virtyte  në udhën tuaj familjare".  








All the contents on this site are copyrighted ©.