2016-12-20 14:37:00

Papa Françesku emëron Barbara Jatta-n, drejtoreshë të Muzeve të Vatikanit


Papa emëroi Barbara Jatta-n, drejtoreshë të re të Muzeve të Vatikanit. Është gruaja e parë në këtë detyrë, të cilën do ta fillojë më 1 janar 2017. Lindur në Romë më 6 tetor 1962, është laureuar në letërsi në Universitetin “La Sapienza” të kryeqytetit italian, në vitin 1986 e më pas, ka marrë diplomën e Arkivistes në Shkollën Vatikanase të Paleografisë, Diplomatikës (shkencës që studion dokumentet e vjetra) e Shkencës së Arkivimit. Në vitin 1991 është specializuar në histori arti në Shkollën e Specializimit të Universitetit “La Sapienza” në Romë e më pas, ka dhënë leksione në lëndën e historisë së grafikës e të teknikave të inçizionit, duke publikuar artikuj, reçensione dhe kataloge ekspozitash të specializuara.

         Që nga viti 1994 është pedagoge e historisë së artit grafik në Universitetin e Napolit. Ka hyrë në Bibliotekën Apostolike Vatikanase në vitin 1996, ka qenë përgjegjëse e Kabinetit të Stampave deri në vitin 2010, kur është emëruar Kujdestare për Grafikën në Departamentin e Stampave. Qershorin e kaluar është transferuar në Drejtorinë e Muzeve të Vatikanit, me detyrën e zv.drejtoreshës.








All the contents on this site are copyrighted ©.