Pra më 20 dhjetor përkujtohet Shën Liberati, martir, konsulli romak, nga familje fisnike, pasi njohu Krishtin, hoqi dorë nga karriera, nga politika dhe nga privilegjet e klasës së tij shoqërore, për të ndjekur jetën e re të dashurisë vëllazërore. U dënua me vdekje nën mbretërimin e perandorit Klaudi Gotik, nga fundi i shekullit III.
Në “martirologun Jeronimian” festa e shën Liberatit martir shënohet më 20 dhjetor.
Kjo datë mbeti për përkujtimin e martirit edhe në “martirologun Romak”, hartuar në
shekullin XVI nga historiani i madh, kardinali Cesare Baronio. Ndonëse mendohej se
kishte ardhur nga Lindja, në të vërtetë shën Liberati ishte romak. Emri i tij i vërtetë
ishte Liberale (italisht); Liberalis (latinisht), prej nga u përkthye gabimisht në
Liberatis apo Libert, e ashtu edhe mbeti.
Reliket e shën Liberatit janë varrosur në Udhën e lashtë romake Salaria, ku pushojnë
në paqe edhe dy martirë të tjerë: Gjoni e Festi.
Liberati, bir i një familjeje fisnike, ishte konsull. Si u kthye në fenë e krishterë, u dashurua me Krishtin aq, sa hoqi dorë nga karriera, nga politika, nga jeta në rrethet fisnike dhe nisi të ndjekë rrugën e re të dashurisë vëllazërore e të fesë në Zotin. Ndryshimi i tij i thellë u ra në sy të gjithëve. E arrestuan dhe e dënuan me vdekje në kohën e sundimit të Klaudios, që njihet me atributin “Gotiku” (269-270).
Një farë Flori e ngriti trupin e tij mbi një varr monumental, me shpresën se Zoti do t’ia shpërblente në jetën tjetër nderimin për shenjtërim. Varri u shkatërrua në kohën e pushtimit të Alarikut në vitin 410 pas Krishtit, por besimtari i përshpirtshëm e ndërtoi përsëri. Kujtojmë se emri Liberalis në latinisht do të thotë: “I çliruar nga skllavëria”; të krishterët e përdorën me kuptimin “I çliruar nga robëria e mëkatit, apo nga paganizmi”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |