2016-12-20 12:31:00

Liban, Patriarku Raji: qeveria e unitetit është shpresë për libanezët


Dy muaj pas zgjedhjes së presidentit të krishterë maronit Michel Aoun, Libani ka tani një qeveri të re të bashkimit kombëtar, përbërë nga 30 ministra e nga kryeministri sunit, Saad Hariri. Synohet ruajtja e qëndrueshmërisë së vendit, përmes përballimit të emergjencave aktuale e miratimit të një ligji zgjedhor, që mund ta çojë popullsinë drejt votimeve, ndoshta, majin e ardhshëm. Të dëgjojmë komentin e Patriarkut të Antiokisë së Maronitëve, kardinalin Béchara Bourtros Raji:

Para së gjithash, pas dy vjetësh e pesë muajsh boshllëku presidencial u zgjodh si president gjenerali Michel Aoun e kjo, për libanezët është çlirim i madh e shpresë. Pastaj, pas gati dy muajsh, doli edhe qeveria e re: gati dyshonin libanezët se mund të kishin qeveri para Krishtlindjes. …E ky ishte element tjetër pozitiv. E tani të gjithë, myslimanë e të krishterë, shohin me shpresë të ardhmen, sepse sfidat janë të shumta, jo vetëm në nivelin politik, por edhe në nivelin ekonomik e shoqëror. Veçanërisht, përsa u përket refugjatëve sirianë – një milion e gjysëm – plus gjysëm milioni palestinezë, që gjithsej, bëjnë dy milion refugjatë në territorin libanez, i cili arrin vetëm në 10 mijë kilometra katrorë, ku refugjatët përbëjnë gjysmën e popullsisë. Prandaj, falenderojmë Zotin, që na dha si dhuratë për Krishtlindje presidentin dhe qeverinë e re. Shpresojmë të ecim përpara e t’i përballojmë këto sfida që kemi sot, sidomos pasojat e rënda të luftrave në Siri e në Irak, ndërsa akoma nuk kanë kaluar pasojat e konfliktit izraelito-palestinez.

Çfarë i kërkoni kryeministrit të ri?

Të fillojë shpejt e të përballojë sfidat e shumta. Varfëria në Liban rritet e borxhet janë akoma të mëdha; duhet të ndalë emigracionin masiv të të rinjve libanezë; të përballojë problemin e refugjatëve sirianë. Pastaj, të merret me korrupsionin, që po prek çdo institucion publik të shtetit. Kryeministri i di këto gjëra e fjalimi i parë i presidentit i trajtoi këto argumente. Vetë ministrat thonë se mjafton të nisen nga fjalimi i presidentit për të pasur një program pune.








All the contents on this site are copyrighted ©.