2016-12-20 18:09:00

Krishtlindja në letërsinë shqipe të traditës. Ernest Koliqi: “Fjala qet fjalën”(2)


Po vijojmë me syzimet e Ernest Koliqit, kushtuar Krishtlindjes, shkëputur nga Revista “Shêjzat”, vjeti VI– n.11-12 Nanduer-Dhetuer 1963, titulluar “Fjala qet fjalën” Pas syzimit të parë, me titull “Këshndellat” ju ftojmë të ndiqni sot pjesën II, titulluar: “Krishlindje në Shkodër”.                  

“Nâtën e Këshëndellavet mbahet mëngjille. Të gjitha gjellët do të melmehen me voj dhe mishi âsht i ndaluem. Në tryezë të gjatë, ku xênte gjyshi kryet e vendit, u pikatshin, në mes gjellve tjera, tava e njalës me oriz edhe tezpixhja me voj. Por né fmijvet na tërhiqte lakmueshëm sỳnin grumbulli i fiqvet të thatë e copat e qyfterit e pistili kumbullash qi gjyshja kishte nxjerrë nga arka ku ajo ndrŷnte sendet mâ të dishrueshme prej nesh: dhuratat e verës të shëndrrueme në pekmezna e në reçelna.

Por burrat e shtëpís vêjshin në buzë qelqat me vênën marrë n’ahër prej fuqís së ré çelë atë natë dhe vîjshin tue e gjinue (goûter) hurma hurma pa bëzâ në pritje të gjikimit të prém të gjyshit i cilli i a shikonte mâ parë ngjyrën, tue e ngrehë gotën kah drita e kandilit me vojguri qi varej mbi tryezë nga tavani, mandej pinte nji hurm edh’e përçapte si kafshatë gjelle e në fund e levdonte ase e shánte.

Në të gjitha shtëpijat, ku mâ i madh ku mâ i vogel, ndritte nji betlêm me shpellën e Krishtit kërthî dhe me baríj e blegtoresha tue ngarendë kah ajo, këto me shporta plot kuleça e djathë të njomë, ata me kingja në krah. Na e ndertojshim vetë betlêmin dhe naltojshim male me letra ngjye në llom kafje e zbardhë vende vende me miell për të krijue pámjen e nji vendi me borë dhe shtiqet i rravizojshim me zhuri t’îmë lëshue mbi plisa bari e copa myshku. E ndertojshim vetë betlêmin me duer qi endé s’kishin pugâ ethet e epshevet dhe me zêmer qi dridhej e mitun në poezín e asaj Nâte mrekullinash. Ndiejshim n’ajrí jehime vallesh engjullore. Mbarë shtëpija kredhej si në nji atmosferë shortije në të cillën gjithëshka mund të ndodhte, gjithëshka tej zakonit. Mujte m’u hapë nji ndër dritoret e mëdhá të çardakut, ku kishim ndertue betlêmin, dhe me zbritë nji engjull me nji grusht hyj me vete për të stolisë ballin e shpellës mbrenda së cilës âmbelsisht e përkulun mbi Kerthînin hyjnuer buzqeshte Zoja kartuçi të ngjyrëshëm.

E, qe arrinte mjesnata pa durim e pritun. Pak përpara lajmin e gazmueshëm, si t’i ndëgjojshin nji urdhënit qielluer, e përhapshin mbi qytet kumbonët e shtatë kumbonarevet t’ona. Më pelset zêmra në ndrydhje të mallit kur kujtoi tingullimin e qartë e të hollë të kumbonës së Murgeshavet, qi e kishin kuvendin përball shtëpís s’ime, nji zâ vashnuer, nji aht pafajnije qi flakrohej kah hyjt e kupës qiellore si lutë fluturuese. Atëherë m’a mbushte shpirtin me gëzim dhe hỳnte në rend të zânave familjare; sot kumbon në kujtim si váj i këndirun foshjesh të mbetuna pa mbroje e shpresë.

Sa nisshin hymnin e tyne kumbonët, në mbarë qytetin kriste pushka, shprazje hareje përjetë, me pushkë të vjetra e të reja, të gjata e të shkurta, ç’prej Rusit e në Tophane, ç’prej Ballabanes e në Qafë të Rozafatit. Pa qitje pushkësh nuk din Shqiptari me lutë festa.

E n’atë poterë shungullore êndej udhavet të para të Shkodrës dáulla e Frano Ndojës për t’i prî njerzís kah Kisha e Madhe, ku çohej kremtorisht Mesha e këndueme e mjesnatës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.