2016-12-20 11:33:00

Berlin, 12 të vdekur. Policia: akt i kryer me paramendim


Ngjarja tragjike, që ndodhi mbrëmë në Berlin, është sulm terroristik: e deklaroi policia gjermane, tashmë e bindur se masakra e kryer nga kamioni kundër turmës mbrëmë, në një treg të vogël Krishtlindjeje, nuk ishte aksident, por atentat.

Kamioni u lëshua vrullshëm kundër turmës, duke shkaktuar 12 të vdekur e 48 të plagosur, disa nga të cilët, në gjendje të rëndë. Mendimi për një aksident të mundshëm menjëherë pas ngjarjes, u zëvendësua shpejt nga hamendja, gjithnjë më konkrete, se pas kësaj tragjedie fshihej dora terroristike e një afgani ose pakistanezi, domethënë e shoferit të makinës lëshuar me turr mbi turmën, që endej çkujdesshëm duke blerë cikërrima Këshndellash, në një nga zonat ku ndodhen dyqanet kryesore berlineze. Burri, një emigrant, që ka shumë mundësi të ketë hyrë në Gjermani shkurtin e kaluar, u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër. Udhëtari tjetër, polak, mbeti i vrarë që në çastet e para. Sipas dëshmisë së pronarit të kamionit, me targë polake, farefis i pasagjerit të vrarë, kushërinjtë qenë takuar për herë të fundit dy ditë më parë. E kjo të shtyn të mendosh se si mjeti, ashtu edhe shoferi, i nisur për në Poloni, mund të jenë sekuestruar. I njëzëshëm, dënimi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për një akt, që të kujton menjëherë masakrën e Nicës të 14 korrikut të kaluar, kur 84 vetë humbën jetën nga një kamion i lëshuar me vrull të tërbuar mbi turmën. Nga disa kanale të Is, arrin edhe pranimi i autorësisë së atentatit të ri mbi Berlinin, që gjithsesi, nuk ka ende një konfirmim të plotë.   








All the contents on this site are copyrighted ©.