2016-12-19 10:28:00

Krishtlindja është për të gjithë: simbolet e Krishtlindjes!


Jemi shumë afër Krishtlindjes, e në udhën tonë drejt Betlehemit, vendit ku Jezu Krishti lindi, ndërsa vazhdojmë ta përshpejtojmë përgatitjen tonë shpirtërore, duam të ndalemi te domethënia simboleve që karakterizojnë Krishtlindjen. Krishtlindja, është kremte e dhuratës. Hyji ua bën dhuratë Vetveten gjithë njerëzve, të gjithë banorëve të tokës, që gëzimi i tyre të shndrisë, si drita në mes terrinave të natës.  Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e tij të dashur.

Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Ai është prova më e madhe e dashurisë së Zotit, Atit tonë qiellor për ne.

Betlehemi ndodhet në malësitë e Judesë. Është qyteti, ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Qytet i etërve të Jozefit. Ndryshon shumë nga Jerusalemi, kryeqyteti krenar, 7 kilometra më në veri të vendit.

Shpëtimtari, është fjalë që përdorej dendur në kohën e Jezusit. E do të përdorej edhe më shumë në kohët, që do të vinin, në ditët tona e në ditët, që nuk kanë aguar akoma, për të dëbuar errësirën. Njerëzit kërkonin, kërkojnë e do të kërkojnë një shpëtimtar, sepse kanë gjithnjë nevojë për shpëtim. Por, duhet dalluar shpëtimtari nga Shpëtimtari: të mos harrojmë. Asokohe edhe perandori romak quhej ‘shpëtimtar’.
Po Jezusi nuk është perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor. Ai është Mesia! Është Zoti!

Grazhdin e dinë të gjithë ç’do të thotë; është vendi ku vihet ushqimi për gjënë e gjallë, për kafshët.
Në një grazhd do ta pushonte shtatin Jezusi i posalindur, sepse për Të nuk u gjend asnjë vend tjetër në gjithë qytezën e Betlehemit. Barinjve u jepet pikërisht kjo shenjë, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni një foshnjë, të vënë mbi një grazhd”.

Barinjtë atëherë u nisën dhe e gjetën të vënë mbi kashtën e një grazhdi. Po sot, ku ndodhet, që të shkojmë ta takojmë edhe ne, ta adhurojmë, bashkë me barinjtë e lashtë? Miq, afrojuni e shikoni! Dhantia e Hyjit u duk përsëri mbi një grazhd! Ja, Biri i Hyjit, i lindur në varfëri. Ejani, miq, të këndojmë këngën e lumnisë!








All the contents on this site are copyrighted ©.