2016-12-19 13:35:00

Krishtlindja shkel në Sheshin e Shën Pjetrit


Të dielën e ardhshme do të kremohet e Diela e Krishtlindjes. Tashmë ndjehen hapat e saj të heshtura që shkelin mbi kalldrëmin e Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan. E Papa na porosit ta gjejmë një çast, kësaj jave, për t’u ndaluar në heshtje e për ta përfytyruar Zojën e Bekuar dhe Shën Jozefin në shtegtim drejt Betlehemit. Për t’i ndjekur me mend kah ecin… Për t’i përfytyruar si shkojnë... Për ta dëgjuar trokitjen e hapave të tyre, peshën e lodhjes, por edhe harenë, që u gurron në shpirt nga pritja e bukur. Emocionin nga ëndrra, që po  bëhet realitet. Por edhe ankthin nga e panjohura në këtë shtegtim të vështirë e të lum njëherësh, drejt një vendi të huaj, ku nuk i pret askush e ku mund të mos gjejnë as strehë… Për këtë na porosit Papa, që dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot i përcolli mbarë njerëzimit atmosferën e solemnitetit - për udhë - duke i folur nga dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin, ku Krishtlindja tashmë ndjehet fort!

Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan nisi të stolisej me kohë, për ta pritur lindjen e Foshnjës Hyjnore. Me vetëdijen se mbarë bota tashmë do të fillojë të mblidhet, fizikisht a shpirtërisht, këtu, rreth Shpellës së Betlehemit, që pret Mesnatën e lume të 25 dhjetorit, për ta parë Krishtin mbi kashtën e freskët të grazhdit bosh.

Në muzgun dimëror të një të premteje, rreth dy javë para Festës, Sheshi i Shën Pjetrit ishte kredhur në një errësirë të thellë, gjë krejt e pazakontë, sepse vezullon ditë-natë. Njerëzit, që mblidhen vazhdimisht në këtë Shesh, njëri nga më të bukurit në botë, s’arritën të pyesin pse ishte ngrysur kështu kur, më një të luajtur qerpiku, ndodhi magjia: Bredhi i madh i Krishtlindjes, ardhur nga pyjet e dendura të Trentinos, pas një shtegtimi të gjatë, u mbush përplot me dritë, duke u dukur para syve të mahnitur të njerëzve me gjithë madhështinë, që i takon. Natyrisht: është njëri nga protagonistët e Solemnitetit, i soditur nga mbarë bota. Nga Sheshi u flet për dritën mijëra shtegtarëve e besimtarëve, që mblidhen këto ditë rreth tij, me të 18 mijë llambat me konsum të ultë energjitik dhe me xhinglat xhixhëlluese, krijuar nga fëmijët e shtruar në 15 spitale italiane, që morën pjesë në laboratorët e qeramikoterapisë. Të gjithë mbetën me hundë përpjetë, duke soditur tërë këtë dritë, në sfondin mahnitës të Bazilikës së Shën Pjetrit, edhe ajo e larë me dritë. Dritë në dritë, në festën e Dritës. Ndrit Sheshi, ndrit Bredhi, ndriçojnë fytyrat e njerëzve e mbi ta, në dritaren e  Engjëllit, ndriçon me dritë festive fytyra e Papës Françesku.

Pastaj, gjithnjë nga dritarja e Engjëllit, Papa u kujton besimtarëve se, për ta ndjekur Familjen Shenjte në shtegtim kah Betlehemi, na ndihmon shumë edhe soditja e Shpellës, drejt së cilës shtegtojnë Maria, nëna e virgjër e Jezusit, e ati i kujtuar, Jozefi. Papa u flet besimtarëve për mijëra shpellat e  krijuara këto ditë në botën mbarë. Ndërmjet tyre, për Shpellën nën hijen e Bredhit vigan, në Sheshin e Shën Pjetrit, dhuratë e Maltës, vepër e artistit Gozo Manwel Grech, që sjell në zemër të Vatikanit peizazhin maltez, plotësuar nga kryqi tradicional dhe nga “luzzu”, barkë tipike vendase. Është simbol - na kujton Papa – që i risjell në mend mbarë botës edhe realitetin tragjik të emigrantëve mbi varka, drejtuar nga Italia. Për më tepër na ndihmon të kuptojmë pse mesazhi i Shpellës së Betlehmeit është gjithnjë aktual.

Të gjitha shpellat e Betlehemit, realizuar në kisha, shtëpi, vende publike, janë ftesë për t’i bërë vend Zotit  në jetën tonë e në shoqërinë tonë.

Edhe kështu mund ta jetojmë gëzimin e Krishtlindjes - na kujton të gjithëve Françesku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.