2016-12-17 17:52:00

Papa: të parat, urimet nga të pastrehët, pastaj, nga mbarë bota


Të parët që e uruan Papën për 80-vjetorin e ditëlindjes, ishin sot në mëngjes disa të pastrehë, të cilët Françesku i priti për vizitë. Pastaj i ftoi edhe të hanin mëngjesin së bashku, në Shën Martë. I shoqëronte imzot Konrad Krajewski, lëmoshtar i Shenjtërisë së tij.

Fjalë përzemërsie, nderimi, simpatie, inkurajimi e mirënjohjeje vijojnë të arrijnë  në Vatikan nga mbarë bota. Më se 50 mijë urime kanë arritur deri tani me postë elektronike, shkruar në të gjitha gjuhët. Më se njëmijë, latinisht!

Tri tufa me luledielli: kjo, dhurata e parë e ditës për Papën, nga tetë të pastrehë, që sillen gjithë ditën rreth Shën Pjetrit: katër italianë, dy rumunë, një moldav e një peruvian, që u pritën përzemërsisht nga Françesku, i cili i gostiti me ëmbëlsira argjentinase. 

Të shumta, në mbarë botën, nismat e bamirësisë për ta nënvizuar këtë ngjarje të madhe, në frymën e Françeskut, gjithnjë pranë të varfërve. Shumë mensa të Romës ofruan, në emër të Papës, ëmbëlsira e, në strehët e refugjatëve, miq të Qendrës Astalli si dhe në bujtinat e tjera, u shpërndanë dhurata të vogla, me një figure, si kujtim për Krishtlindje.

Nga Unitalsi Françesku mori 5 bileta per një shtegtim në Lourdes, caktuar për një nga familjet e të krishterëve të persekutuar. Qyteti i lindjes së Françeskut, Buenos Ájres, ishte i tëri në festë. Atmosferë gëzimi ndjehet fort kudo: në kishat e mëdha e në lagjet rezidenciale, në kapelat e vogla  e në bidonvilet e rrethinave të humbura.

Ndër të mëdhenjtë e botës, presidenti i SHBA-ve, Obama, lavdëroi "përvujtërinë e Papës, duke uruar të jetë prijës i njerëzve të botës mbarë, për të ecur së bashku drejt drejtësisë së vërtetë dhe të paqes”. Obama shprehu posaçërisht mirënjohjen për mbështetjen e Françeskut në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-ve e Kubës.

Nga Italia, urimet e presidentit Mattarella nënvizojnë se Jubileu i Mëshirës solli “një mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm shprese e pajtimi, ndërsa vizitat e Papës në shumë vende të botës, kontribuan për forcimin e dialogut e të lidhjeve të vëllazërimit e të solidaritetit ndërmjet popujve dhe kombeve të ndryshme”.

Të panumërta mesazhet e urimeve përmes internetit edhe rrjeteve shoqërore, e shumë, shumë foto me Papën.








All the contents on this site are copyrighted ©.