2016-12-17 16:01:00

Mesha për 80-vjetorin. Françesku: pleqëria ime qoftë e hareshme dhe e frytshme


Pleqëri të hareshme e të frytshme, të qetë e të devotshme. Këtë i kërkoi Papa Zotit në ditën e 80-vjetorit të ditëlindjes, në përfundim të Meshës, kremtuar në Kapelën Paoline, me kardinajtë banues në Romë. Papa uroi që pleqëria e tij të jetë “seli e urtisë”. Pastaj, gjatë homelisë, nënvizoi se jeta e krishterë është ecje e vazhdueshme drejt takimit përfundimtar me Jezusin.

Në emër të gjithë Kolegjit Kardinalor, Françeskun e uroi Kardinali Dekan Angelo Sodano, që shprehu gëzimin e të gjithëve për këtë festë.

Tregoi një anekdotë, Papa Françesku, për të shprehur ndjenjat e tij në këtë ditëlindje. Prej disa ditësh - kujtoi - më vjen në mendje një fjalë, që duket e keqe: “pleqëri”

Shpresojmë që pleqëria ime të jetë seli e urtisë

Fjalë - shtoi - që të tremb. Kujtoi, kështu, një prelat, imzot Cavaliere, që i dhuroi këto ditë De senectute (Pleqëria) të Ciceronit. Një pikë ujë më shumë në kupën plot - bëri shaka Papa, siç e ka zakon shpesh. - Pastaj shtoi një reflektim:

“Kujtoj atë, që ju thashë ju më 15 mars [2013], në takimin tonë të parë: ‘Pleqëria është selia e urtisë’. Shpresojmë të jetë kështu edhe për mua. Shpresojmë se do të jetë!”.

Kërkoj pleqëri të hareshme e të frytshme

Citoi më pas një fragment prej njërit nga autorët latinë, që flet për pleqërinë, e cila arrin me çap të heshtur, pa pritur e pa kujtuar:

“Është si një goditje! Por kur njeriu e mendon si etapë të jetës, që të jep gëzim, urti, shpresë, atëhere rifillon të jetojë. E më kujtohet edhe një poezi tjetër, që e pata cituar atë ditë me ju: “Pleqëria është e qetë dhe e devotshme”- “Est ist ruhing, das Alter, und fromm” [Hölderlin]. Lutuni që imja të jetë kështu: e qetë, e devotshme dhe e frytshme. E edhe e hareshme”. 

Të shikojmë gjithnjë udhën tonë të fesë

Para mendimit për ditëlindjen, Papa – në homeli - u ndalua tek fragmenti i Ungjillit të sotëm, që flet për gjenealogjinë e Jezusit. Një fragment - vërejti - që të bën gjithnjë të mendosh për hirin e kujtesës, hirin që “të mos harrosh”:

“Është tipike për dashurinë, të mos harrosh; tipike për dashurinë, të kesh gjithnjë parasysh të mirën e madhe, shumë të madhe, që kemi pasur; tipike për dashurinë, të shikosh historinë: nga vijmë, nga erdhën etërit tanë, paraardhësit tanë, si e bënë udhën fesë… E kjo kujtesë na bën mirë, sepse na  nxit të rrimë zgjuar, në pritje të Krishtlindjes”.

Ky - vijoi - është hiri i sotëm: “të kujtoj”; e të kujtoj, duke lexuar fragmentin e Ungjillit, që është histori hiri, por edhe histori mëkati:

“Këtu, në historinë e shëlbimit, ka një mori mëkatarësh (krh Mt 1,1-17), e edhe një mori shenjtorësh. E edhe ne, në jetën tonë, gjejmë po këtë: çaste besnikërie të madhe ndaj Zotit, çaste gëzimi në shërbim, por edhe ndonjë çast të keq, pabesie, mëkati, që na bën ta ndjejmë fort nevojën e shëlbimit. E kjo është edhe siguria jonë, sepse kur kemi nevojë për shëlbim e dëshmojmë fenë, bëjmë dëshminë e fesë: ‘Unë jam mëkatar, por Ti mund të më shpëtosh. Ti më çon përpara’. E kështu shkon përpara në gëzim e shpresë”.

Jeta e krishterë, ecje drejt takimit me Jezusin

Në Kohën e Ardhjes - vijoi Ati i Shenjtë - nisëm ta përshkojmë këtë udhë, duke pritur vigjilentë ardhjen e Zotit. Sot - shtoi - ndalemi një çast, shikojmë udhën e bërë, vërejmë se ishte e bukur, se Zoti nuk na zhgënjeu, se Zoti është besnik. Prej këndej, edhe nxitja për të ecur gjithnjë përpara:

“Kjo është jeta e krishterë: ec përpara, drejt takimit përfundimtar. Kjo ecje  me shumë intensitet, në pritje vigjilente që të vijë Zoti, nuk na lë kurrë pa hirin e kujtesës, hirin që të shikojmë pas gjithçka bëri Zoti për ne, për Kishën, në historinë e shëlbimit. E atëhere e kuptojmë pse sot Kisha na fton ta lexojmë këtë fragment, që mund të duket pakëz i mërzitshëm, nëse harrojmë se këtu është historia e një Zoti, që deshi të ecë me popullin e vet, për t’u bërë, më në fund, njeri, si secili prej nesh”.

Të rrimë të qetë, duke ia besuar veten Zotit, pa ankime

Në përfundim të homelisë, Papa u lut që Zoti të na ndihmojë ta rifitojmë hirin e kujtesës. E nëse na duket se kemi një mori problemesh, të mos harrojmë të rrimë të qetë e të shkojmë plot me besim përpara:

“Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve ka një faqe mrekullisht të bukur për ankimet tona, tepër të bukur: ‘Mos u shqetëso, nuk ke arritur akoma të japësh gjakun tënd” (krh 12,4). Ka edhe pakëz humorizëm ky autor i frymëzuar, për të na ndihmuar të shkojmë përpara. Zoti na e dhashtë këtë hir!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.