2016-12-16 13:48:00

Papa: të krishterët t’ia hapin udhën Jezusit, duke e dëshmuar


Të krishterët ta shikojnë Gjon Pagëzuesin e madh, i cili e uli veten deri në vdekje për të treguar ardhjen e Birit të Hyjit, si model të dëshmimit të përvuajtur të Jezusit. Këtë theksoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në  Shtëpinë e Shën Martës, duke iu drejtuar disa priftërinjve, rregulltarëve e  çifteve, të pranishëm në kremtim, në 50-vjetorin e shugurimit e të martesës.

Gjon Pagëzuesi, dëshmitar që tregon Jezusin

Liturgjia e Kishës, edhe sot, ashtu si dy ditët e fundit, na nxit të reflektojmë për figurën e Gjon Pagëzuesit, paraqitur në Ungjill si “dëshmitar”. E kjo është edhe thirrja e tij - shpjegoi Papa në homeli -  të japë dëshmi për Jezusin, duke e paraqitur si llambë, përballë dritës:

“Llambë, që tregon ku është drita, dëshmi e dritës. Ai ishte zëri, Ai vetë thotë për vetveten: ‘Unë jam zëri, që bërtet në shkretëtirë”’.

Ishte ai, zëri që jepte dëshminë e Fjalës, që e tregonte Fjalën. Ai ishte predikatari i pendesës, që pagëzonte, ishte pagëzuesi, por që fliste tejet qartë e thoshte:

“Pas meje po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëzat e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë  në zjarr e në Shpirtin Shenjt”.

Përvujtëria e Gjonit, model për të krishterët

Gjoni, pra, është “i përkohshmi”, që tregon “të përhershmin”, e “i përhershmi” është Jezusi. Kjo, vërejti Papa, është madhështia e tij, e  dëshmuar sa herë që populli dhe doktorët e ligjit e pyesnin nëse ishte a s’ishte Mesia, e ai, krejt qartë, gjegjej: “Unë nuk jam!”.

E kjo dëshmi e përkohshme, por e sigurt, e fortë, ky pishtar që nuk e la  erën e kotësisë t’ia shuante flakën, ky zë, që forca e fodullëkut nuk mundi ta bëjë të heshtë, u shndërrua përgjithmonë në një, që tregon një tjetër e që i hap portën një dëshmie tjetër, asaj të Atit, asaj që Jezusi na e kujton sot: “Unë kam një dëshmi më të lartë se kjo e Gjonit!”. E Gjon Pagëzuesi është ai, që ia hap portën kësaj dëshmie. E dëgjohet Zëri i Atit: “Ky është im Bir!”. Ishte Gjoni ai, që e hapi këtë portë. I madh, ky Gjoni, që e lë gjithnjë veten mënjanë, që zhduket, për të nxjerrë në pah Mesinë e shumëpritur.

I përvujtë, Gjoni, njeri që e ul veten - përsëriti Papa - duke marrë të njëjtën udhë, që do ta merrte më pas edhe Jezusi: atë të zbrazjes së plotë të vetvetes. E do të mbetej kështu deri në fund të fundit, në errësirën e një qelie, në burg një herë, kokëprerë pastaj, për të kënaqur tekat e një valltareje, zilinë e një gruaje të pabesë e ligështinë e një burri të dehur. Po të duam t’ia pikturojmë portretin, kështu duhet ta pikturojmë!

E këtë figurë ua propozoi Papa besimtarëve, rregulltarëve, ipeshkvijve  e edhe çifteve, që ishin aty për të kremtuar 50-vjetorin e martesës a të shgurimit, duke e shoqëruar me një ftesë:

Të krishterët t’ia hapin rrugën Krishtit me jetën e tyre

“Është një ditë e bukur, që na nxit ta pyesim veten nëse jeta jonë e krishterë ia hapi gjithnjë udhën Jezusit, nëse ishte gjithnjë plot me këtë gjest: me dëshmimin e Jezusit. E ta falënderojmë Zotin për të gjitha herët që e bëmë këtë, ta falënderojmë e të rifillojmë, pas këtij 50-vjetori, me këtë pleqëri të re - a me këtë rini të plakur, si vera e vjetër - duke bërë edhe një hap përpara, për të vijuar të jemi dëshmitarë të Jezusit! Gjoni, dëshmitari i madh, ju ndihmoftë në këtë udhë të re, që ju po e nisni sot, pas kremtimit të 50-vjetorit të meshtarisë, të jetës rregulltare a të martesës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.