2016-12-15 15:30:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: ngushëllo të vuajturit e fali fyerjet


Në emisionin e sotëm do t’ju flasim për dy vepra të tjera të mëshirshme të shpirtit: ngushëllo të vuajturit e fali fyerjet.

         Ngushëllimi është predispozicioni i shpirtit për t’i lehtësuar vuajtjet e dikujt, duke i dhuruar sërish gëzimin e shpresës në Zotin, i cili ka pushtet ta ndihmojë, ta rikrijojë njeriun e ta shpëtojë atë. Fjala “ngushëlloj”, në hebraisht “nhm”, do të thotë, së pari, të marrësh frymë thellë, të dalësh nga një gjendje dhimbjeje ose frike. Të ngushëllosh do të thotë ta bësh tjetrin të ndryshojë, në mënyrë që të marrë frymë, duke e kapërcyer dhimbjen. Është njëlloj si ta ringjallësh, sepse, ashtu si i vdekuri, edhe ai përjeton një përvojë vdekjeje në shpirt e ka nevojë për ndërhyrjen e ndokujt, që duke e lehtësuar, e bën të marrë frymë sërish. Të ngushëllosh do të thotë të marrësh frymë pranë tjetrit, duke i shprehur mirëkuptim, mëshirë e afërsi.

        Mjafton të kujtojmë se Zoti, kur e krijoi njeriun, fryu mbi të, duke i dhënë shpirtin e jetës, ndërsa Jezusi në kryq, uli kryet dhe dha shpirt, pra dha frymën e fundit në drejtim të së ëmës, të shën Gjonit e të gjithë atyre, që e rrethonin. Dikoi kështu frymën e ngushëllimit mbi Kishën, që vuan për vdekjen e Tij. Prandaj, siç thuhet në Letrën e dytë të Shën Palit drejtuar Korintasve: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne” (2 Kor 1,3-4).

         Nëse reflektojmë për veprën e dytë të mëshirës, për të cilën flasim sot, për faljen e fyerjeve, nuk mund të mos kujtojmë kuptimin e saj etimologjik. Falja është shprehje e mirësisë dhe e gatishmërisë së atij, që duke harruar çdo mllef dhe dëshirë për hakmarrje, hap me bujari mundësi për marrëdhënie të reja me atë, që e ka fyer. Me faljen, fyerja zhduket.

         Në botën e lashtë ka ekzistuar gjithnjë mundësi për falje, por ajo i lihej nismës personale, nuk ishte vlerë e përbashkët morale. Hakmarrja ishte praktikë e zakonshme. Ndërkaq, është Zoti Ai që fal, ose që u jep njerëzve mundësi të tjera, siç dëshmon Besëlidhja e Vjetër. Hyji u dha mundësi të tjera për shpëtim Adamit dhe Evës, ose Kainit, ose mbretit të Judesë, Ezekisë. E aty gjendet edhe fara e dashurisë për armikun, që do të arrijë përmbushjen e vet në Jezusin. “Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë: kështu grumbullon mbi kokë të tij prush e Zoti do ta shpaguajë” (Fu 25,21-22).

         Në Besëlidhjen e Re ka dy fjalë greke për faljen: “aphiemi”, që do të thotë zgjidhje, çlirim i njeriut, ndërsa e dyta është “hilaskomai”, që do të thotë shlyerje, shuarje e zemërimit të Zotit, do të thotë të jesh plot hir e mëshirë. Akti i faljes është sintezë e këtyre dy fjalëve, që përfaqësojnë dy aspekte plotësuese: i pari tregon se falja, që është prerogativë e Hyjit, pasqyron natyrën hyjnore të Zotit në njeriun; i dyti lidhet me pendesën, me ndreqjen e pasojave e me pajtimin me Zotin.

         Krishti e konsideroi faljen kulmin e mësimeve të Tij. Shën Pjetrit i tha të falë shtatë herë shtatë. E predikoi atë, që themi edhe sot në Atynën: “na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë”. Pra do të falemi prej Hyjit, me të njëjtën masë, me të cilën i kemi falur të tjerët. E së fundi, për të gjithë ne, kërkon prej Atit faljen pa kusht: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë” (Lk 23,34). E më vonë, Shën Pali do t’u japë të krishterëve këshillën, që u vlen për gjithë jetën: “…jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; faleni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin” (Ef 4,32).








All the contents on this site are copyrighted ©.