2016-12-15 14:31:00

Papa, spitalit “Bambin Gesù”: shpresa është benzina e jetës së krishterë


Shpresa është “benzina” e jetës së krishterë, që na bën të ecim përpara çdo ditë. Kështu tha Papa në fjalën e përgatitur për audiencën e paradites së sotme në Sallën Pali VI në Vatikan, për pacientët, familjet, punonjësit, bashkëpunëtorët dhe vullnetarët e spitalit pediatrik “Bambin Gesù”. Në radhën e parë, mëse 150 fëmijë, ardhur nga “periferitë e botës” e ndonjë edhe nga Shqipëria, që ka marrëveshje me spitalin e Selisë së Shenjtë, për rastet e vështira. Të pranishëm, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryeipeshkvi i Banguit në Republikën Qendrafrikane, kardinali Dieudonné Nzapalainga, kryetarja e Këshillit Administrativ të Spitalit, Mariella Enoc. Spitali i Krishtit Fëmijë do të ndihmojë në rindërtimin e spitalit pediatrik të Banguit me fondet e mbledhura nga koncerti i këngëtarit të njohur italian Claudio Baglioni, që do të mbahet të shfaqet në Vatikan.

Papa: nuk kam përgjigje para vuajtjes së fëmijëve

         Para fëmijëve dhe të rinjve të sëmurë, që sollën në sallë pyetje e emocione, Papa Françesku u përgjigj me sinqeritetin, që e karakterizon, duke nënvizuar se para vuajtjes së të vegjëlve, nuk di të japë përgjigje:

         “As Jezu Krishti nuk ka dhënë përgjigje me fjalë. Para disa rasteve të atëhershme me të pafajshëm, që vuanin në rrethana tragjike, Jezusi nuk predikoi, nuk mbajti ndonjë fjalim teorik. …Duke jetuar ndërmjet nesh, nuk na shpjegoi pse vuajmë. Jezusi na tregoi rrugën për t’i dhënë kuptim kësaj përvoje njerëzore: nuk na shpjegoi pse vuajmë, por duke e duruar me dashuri vuajtjen, na tregoi për kë duhet të vuajmë. Jo përse, por për kë”.

Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit të besojnë në vlerën e ëndërrave

         Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit të besojnë në vlerën e ëndërrave, të dhuratës, të gjërave të vogla, të një falenderimi të thjeshtë:

         “Ua mësojmë këtë fëmijëve e pastaj, ne të rriturit nuk e bëjmë. Por, falenderimi është ilaç kundër ftohjes së shpresës, që është një sëmundje e keqe dhe ngjitëse. Kur themi faleminderit ushqejmë shpresën, atë shpresë, përmes së cilës u shpëtuam, siç thotë Shën Pali. Shpresa është ‘benzina’ e jetës së krishterë, që na bën të ecim përpara çdo ditë”.

E merr fjalën një paciente:

         “Unë jam Serena, jam 27 vjeç e historia ime në spitalin ‘Bambin Gesù’ fillon që kur isha 13 vjeç…”.

         Është histori sëmundjesh të përsëritura, ndërlikimesh, që megjithatë, s’janë asgjë para shpresës së asaj vajze, që studion për mjekësi. Ati i Shenjtë i nxit të gjithë të bëjnë një hap pas tjetrit e ta gjejnë bukurinë e jetës në gjërat e vogla:

         “Mund të shihet si logjikë e pavlefshme, sidomos sot, me mendësinë e dukjes, që kërkon rezultate të menjëhershme, sukses, vizibilitet. Por, mendoni Jezusin: pjesën më të madhe të jetës së Tij mbi tokë e kaloi pa bujë; u rrit në familje, pa ngut, duke mësuar e duke punuar çdo ditë e duke ndarë me të tijtë gëzimet e dhimbjet. Krishtlindja na thotë se Zoti nuk u bë i fortë e i pushtetshëm, por i brishtë dhe i pambrojtur si fëmija… Sot vrapojmë shumë e gjejmë gjithnjë e më pak hapësirë: jo vetëm parking për makinën, por edhe vende për t’u takuar; jo vetëm kohë të lirë, por edhe kohë për t’u ndalur e për të shkëmbyer dy fjalë. Kemi kaq nevojë për kohë e për hapësira më njerëzore”.

Mund të punohet për fitimin, por mund të punohet edhe në favor të të gjithëve

         Ati i Shenjtë përmendi hapësirat dhe projektet e krijuara nga Spitali i Krishtit Fëmijë edhe në vende të tjera, me besim se Provania Hyjnore nuk do t'ua mohonte ndihmën e saj. E atyre, që punojnë në këtë strukturë, u kujtoi se duhet të ëndërrojnë projekte të mëdha, pavarësisht se të vështira. “Jeta pa ëndërra – nënvizoi Papa – nuk është e denjë për Zotin”, pasi na bën të jetojmë pa entuziazëm e të kënaqemi me ç’sjell dita. E Ati i Shenjtë këshilloi:

         “Mund të punohet, duke menduar sidomos për fitimin, por mund të punohet edhe duke u përpjekur të bësh si të dish më mirë, në favor të të gjithëve. Atëherë puna, pavarësisht nga vështirësitë, bëhet kontribut për të mirën e përbashkët e nganjëherë, edhe mision”.

         E rëndësishme është, pohoi më pas Papa, ta dimë nëse vijnë më parë interesat personale, apo shërbimi për të tjerët, jetesa sipas planit të Zotit, pa e përjetuar këtë si peshë të rëndë, por si dhuratë:

         “Është radha ime – meditoi Papa – për të bërë pak të mira, për t’u çuar Jezusin të tjerëve, për ta dëshmuar jo me fjalë, por me vepra. Çdo ditë mund të dilet nga shtëpia me zemër të mbyllur, ose me zemër të hapur, gati për të takuar dikë, për të dhuruar diçka nga vetvetja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.