2016-12-15 13:43:00

Atë Pepe për 80 vjetët e Papës: i pati pëlqyer një vetratë me Nënë Terezën


Janë të shumta, në të gjithë botën, gjestet e dashurisë për Papën Françesku, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, që Ati i Shenjtë do ta kremtojë të shtunën. Të shumta, edhe nismat spontane, madje, deri jashtë Kishës Katolike. Me gëzim të veçantë do të përjetohet kjo ditë në Buenos Aires, sidomos ndër të varfërit e Villas Miserias, tepër të dashur për kryeipeshkvin e atëhershëm, Jorge Mario Begoglio. Përkrah tij, në atë kohë, shërbente atë “Pepe” Di Paola, i cili, i intervistuar me telefon, i bën urimet e tij Atit të Shenjtë:

         Para së gjithash dua t’i uroj që të ecë përpara në thirrjen e tij për ta jetuar meshtarinë shpirtërisht, në mënyrë thellësisht solidare me njerëzit e me realitetet ku ata jetojnë, por edhe thellësisht në bashkim me Kishën e me Ungjillin. I uroj të vijojë misionin e tij, duke ecur me frymën e Ungjillit, për të cilën ka nevojë Kisha.

         Atë Pepe, ju e njihni Papën Françesku prej vitesh. A e kujtoni si e festonte ditëlindjen, kur ishte në Buenos Aires?

         Nuk i pëlqejnë shumë festimet për ditëlindjen… Më kujtohet se kur fëmijët e të rinjtë e shkollës sonë artizanale donin t’i bënin dhuratë, mendonin për diçka fetare, sepse e dinin se pastaj do t’ua dhuronte të tjerëve… Kjo s’ishte gjëja më e rëndësishme për të: kishte rëndësi vetëm që dhurata të realizohej nga duart e fëmijëve, që shkonin për ta takuar. Fëmijët e “Villas Miserias” nuk donin të blinin ndonjë gjë, donin të bënin diçka për të, me dashuri të madhe. Një herë, fëmijët realizuan një “vetratë artistike” me figuren e Nënë Terezës. I pëlqeu shumë! E dinim se do ta dhuronte për ta vënë në ndonjë kapelë. Mendoj se i pëlqente kjo gjë: që dhurata të ishte dëshmi e impenjimit dhe e përpjekjeve, që kishin bërë për të fëmijët e njerëzit. Besoj se e kuptonte mirë sa shumë e donin dioqezën dhe Kishën.

         Si po përgatiten sot njerëzit e “Villas Miserias” për ditëlindjen e Papës?

         Me lutje. Sepse, siç thashë më parë, nuk i pëlqen të festojë me bujë ditëlindjen. Njerëzit e duan shumë, por edhe për ta, ditëlindja e tij nuk ka qenë aq e rëndësishme. Nëse do të kishte ardhur në Argjentinë, do të ishte bërë një festë e jashtëzakonshme, do të kishte qenë dhuratë vërtet e madhe, pa dyshim. Por e dimë mirë se ai është Papa, Papa i botës. E do Argjentinën, por nuk e lë veten në dorë të nostalgjisë. Na jep forcë e na inkurajon për punën, që bëjmë. E di se ka përpara një detyrë jashtëzakonisht më të madhe e më të ndërlikuar se më parë, sepse tani është bariu i gjithë Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.