2016-12-15 12:04:00

Biblistja Rozana Virgini: “Papa, me Letrën e Jubileut, vë në qendër Fjalën e Zotit


Papa, me Letrën Apostolike “Misericordia et misera” (Dhembshuri e Mëshirë) e mbylli Jubileun, por hapi një kohë të pacak, në të cilën ne duhet të vijojmë ta kremtojmë mëshirën. Në këtë perspektivë na fton ta shikojmë atë, që bëri Zoti për ne e të ecim përpara drejt kthesës baritore. Na e kujton këtë Rosana Virgini, bibliste, pedagoge e ekzegjezës biblike pranë Institutit Teologjik markixhan.

Fjala e Zotit “thyhet” si buka në liturgji

“Françesku na bën thirrje për një impenjim të mirëpërcaktuar, që përfshin liturgjinë, mbarë jetën sakramentore, por edhe kremtimin e së dielës - shpjegon Virgini. - E në këtë kontekst Papa, në n.6 të dokumentit, na kujton se liturgjia e Fjalës kërkon po atë vëmendje, si liturgjia eukaristike.  Françesku nënvizon se në të dy këto çaste Zoti bisedon me ne, përmes një dialogu të përhershëm, që bëhet gosti në Eukaristi, ndërsa, në liturgjinë e Fjalës, dialog e dëshmi.

Jeto, për të treguar

“Nuk është aspak e rastit që në tekst lexojmë ftesën për ta parë homelinë në një perspektivë të dyfishtë: në atë të përgatitjes biblike, por edhe të dëshmisë. Ta dëgjosh Fjalën e Zotit - shpjegon Papa - do të thotë ta dëshmosh atë. E ky është këndvështrimi i veçantë i gjithë Letrës - shton profesoresha Virgini. - “Për ta dëshmuar Fjalën, domethënë për ta kumtuar vazhdimisht mëshirën, duhet të përfitosh prej saj. E, prej këndej, për të përgatitur një homeli të mirë, duhet ta kremtosh mëshirën, para së gjithash, në jetën tënde”.

Fjala e Zotit, si çast dialogu

“Më entuziazmon propozimi i Papës për t’ia kushtuar një të dielë të Vitit Liturgjik krejtësisht Fjalës së Zotit” - shton Gregorio Vivaldelli, biblist”: “Edhe një herë Papa  arrin të jetë në përkim me ritmin e historisë. Me këtë ftesë, na kujton se Fjala është ushqimi për luftëtarët, që na e dhuroi Provania. E nënvizon sesa është  e nevojshme që populli i Zotit të rikthehet tek ky burim i kulluar, për të zbuluar pasurinë e mëshirës së Zotit, që është pikërisht Fjala e Tij. Papa - kujton Vivaldelli - na nxit ta jetojmë liturgjinë e Fjalës si çast dialogu, lidhjeje të thellë me Zotin. Duhet ta kuptojmë metodën edukative të Zotit, e cila kalon përmes Fjalës së Tij, Fjalë që kërkon dëgjim të vëmendshëm".

Inteligjenca e grave “të lira e të lumtura”.

Me vlerë - kujton Rosanna Virgini - ideja e Papës për ta hapur Letrën me figurat ungjillore të gruas së pabesë e të mëkatares, që ia lan këmbët me lot, ia fshin me flokë e ia lyen me erë të mirë. Janë shembull i inteligjencës së partnerëve të Zotit: domethënë atyre, që dinë ta pranojnë mesazhin e Krishtit, që kanë vërtet nevojë për dashuri, mëshirë, falje. Kjo veçori e grave duket qartë në Ungjill, por edhe në Besëlidhjen e Vjetër, ku Izraeli është figurë femërore, njerëzore, që e jeton në mëshirë, lidhjen me tjetrin e me Zotin. E pikërisht dialogu i njeriut me Zotin është zemra e Zbulesës. Këto figura femërore të Ungjllit, që tradita i paraqet si fajtore, Françesku, në numrin 3 të “Misericordia et misera” (Dhembshuri e Mëshirë), i përshkruan si gra të lira e të lume, të pastruara nga njolla e fajit, që Zoti i bëri mbretëresha, me puthjen e mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.