2016-12-14 16:21:00

Emigrantët: Papa emëron Czerny-n dhe Baggio-n si zv.sekretarë për Zhvillimin


Merr formë grupi i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Papës, që do të merret me emigracionin në dikasterin e ri të Vatikanit për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, i cili do të fillojë punë më 1 janarin e ardhshëm. Papa Françesku, i cili deri tani, e pati mbajtur për vete “kompetencën” e seksionit për emigrantët të këtij dikasteri, emëroi sot dy zv.sekretarë. Është fjala për jezuitin Michael Czerny dhe për skalabrinianin Fabio Baggio.

Vetëm dy ditë më parë, prefekti i dikasterit të ri, kardinali Peter Turkson i pati lajmëruar gazetarët për ekzistencën e grupit të bashkëpunëtorëve të Papës në këtë fushë. Salla e Shtypit e Vatikanit sqaroi sot se atë Czerny është konsulent i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, ndërsa don Baggio, drejtor i Institutit Skalabrinian Ndërkombëtar për Emigracionin, pjesë e Fakultetit të Teologjisë në Universitetin Papnor Urbanian.

Biografitë e dy zv.sekretarëve të rinj janë mjaft interesante. Jezuiti Michael Czerny lind në Çekosllovakinë e vitit 1946, hyn në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1963 dhe shugurohet meshtar dhjetë vjet më vonë në provincën kanadeze të jezuitëve. Më 1978 përfundon doktoraturën në Studimet Ndërdisiplinare në Universitetin e Çikagos. Në vitin 1979, në Toronto, themelon Qendrën e jezuitëve për fenë dhe drejtësinë shoqërore, të cilën e drejton deri në vitin 1989, kur, pas vrasjes së jezuitëve në Universitetin Qendror Amerikan (UCA), shkon në San Salvador. Kryen detyra të ndryshme, deri sa pas transferimit në Afrikë, themelon dhe drejton Rrjetin Afrikan të Jezuitëve për Sidën, përvoja kryesore që e bën sot të jetë ndihmës i ngushtë i Papës për refugjatët dhe emigrantët.

Don Fabio Baggio lind në Bassano del Grappa në vitin 1965. Shugurohet meshtar skalabrinian më 1992. Në Universitetin Gregorian bën doktoraturën në historinë e Kishës, për të shërbyer më pas në Santiago të Kilit, ku bëhet edhe këshilltar për Komisionin Ipeshkvnor kombëtar të Emigracionit. Vijon të merret me emigracionin edhe në detyrat e mëvonshme, duke dhënë njëkohësisht mësim në universitete të ndryshme të Amerikës Latine e të Azisë. Nga viti 2013, është profesor dhe drejtor i Institutit Skalabrinian Ndërkombëtar për Emigracionin në Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.