2016-12-12 14:05:00

Nigeri: shembet çatia e një kishe ungjillore, rreth 160 të vdekur


Rreth 160 të vdekur, bilanci i shembjes të çatisë së një kishte ungjillore, që ndodhi dje në Uyo, jug i Nigerisë. Sipas disa dëshmitarëve të pranishëm dhe të një funksionari vendas, në Reigners Bible Church po mbahej një kremtim për  shugurimin e ipeshkvit themelues Akan Weeks, në praninë e qindra besimtarëve.

Kisha ishte ende e papërfunduar

Punëtorët e ngarkuar për ndërtimin e kishës, ditët e fundit i shpejtuan ritmet, për të krijuar kushtet e zhvillimit të ceremonisë. Qindra njerëz, ndërmjet të cilëve edhe Udom Emmanuel, governator i Shtetit Akwa  Ibom, kryeqytet i të cilit është Uyo, ishin grumbulluar në kishë, kur trarët prej metali u lëkundën e ranë mbi  besimtarët. Governatori Emmanuel dhe ipeshkvi Weeks mbetën të paprekur.

Bilanci i viktimave është ende i përkohshëm

Forcat e ndihmës vijojnë punën për të pastruar vendin nga mbeturinat e çatisë së shembur, ndërsa burimet spitalore pohojnë se bilanci i viktimave është në rritje.

Atentat në veri-lindje të vendit

Në veri të vendit, një atentat i dyfishtë, për të cilin u përdorën dy vajza të vogla, shtatë e tetë vjeçe, shkaktoi vdekjen e tre vetëve e plagosjen e 11 të tjerëve. Atentati ndodhi pranë tregut shumë të populluar të Maidugurit, kryeqytet i shtetit të Bornos, që vijon të merret në shënjestër nga xhihadistët e Boko Haram. Sipas një polici civil vendas, dy vajzat zbritën nga një rikshò, iu afruan tezgave ku shiten zogjtë e aty njëra prej tyre  aktivizoi brezin shpërthyes. Tjetra u hodh në erë ndërsa arrinin forcat e ndihmës.

Të premten e kaluar vdiqën 45 vetë, në një atentat të dyfishtë kundër tregut të Madagali, në shtetin fqinj Adamawa. Këto masakra janë vepër e dorës së përgjakur të sektit salafit Boko Haram i cili, qysh nga viti 2009, ka shkaktuar vdekjen e 20.000 vetëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.