2016-12-12 18:30:00

Mesha e Papës për Zojën e Guadalupes: po mësohemi me shoqërinë e mosbesimit


Papa Françesku kremtoi sot meshën në festën e Zojës së Guadalupes, në orën 18.00, në Bazilikën e Vatikanit, për të tretin vit radhazi. Kremtimi u parapri nga Rruzarja dhe nga hyrja e flamujve të popujve të Amerikës, ku ndjehet më fort përkushtimi ndaj kësaj Zoje, Pajtore e gjithë kontinentit amerikan. Por cila është historia dhe mesazhi i Virgjërës së Guadalupes?

         Disa vjet pas pushtimit të Meksikës nga ana e spanjollëve, Zoja, me fytyrën e një vajze metise, u duk në kodrinën e Tepeyac, në veri të Qytetit të Meksikos, para një indiosi të varfër, Juan Diegos. Ishte 9 dhjetori i vitit 1531. Maria e zgjedh si lajmëtarin e saj për t’i thënë ipeshkvit të ndërtojë një kapelë në atë vend. Juan Diego përpiqet ta refuzojë detyrën, por më në fund, pranon. Ipeshkvi nuk i beson e kërkon një shenjë. Më 12 dhjetor, Zoja bën të rritet në terrenin shkëmbor të kodrinës, në mes të dimrit, një rrënjë trëndafili plot aromë. Juan Diego i mbledh trëndafilat në mantel e kur e hap atë para ipeshkvit, ndërsa lulet binin në tokë, në pëlhurë duket mrekullisht figurja e Zojës, ashtu siç e kishte parë në Tepeyac. Ipeshkvi i beson e ndërton mbi kodrinë kishën kushtuar Virgjërës “morenita” (të zeshkët).

Por cili është mesazhi i Zojës së Guadalupes? Për Papën Françesku është “shenja profetike e një përqafimi, e përqafimit të Marisë për të gjithë banorët e tokave pa fund amerikane, për ata që ishin e për ata që do të vijnë. Ky përqafim i Marisë – ka shpjeguar edhe në raste të tjera Ati i Shenjtë – ka përcaktuar udhën, që e ka karakterizuar gjithnjë Amerikën: tokë, ku popuj të ndryshëm mund të bashkëjetojnë, tokë në gjendje të respektojë jetën në të gjitha fazat e saj, nga kraharori i nënës e deri në pleqëri, tokë në gjendje të presë emigrantët, të varfërit e të mënjanuarit e të gjitha kohrave”.

         Sonte, gjatë homelisë, Papa i dha zërin e vet dhimbjes së “fëmijëve e të rinjve të shfrytëzuar në punë klandestine, ose të detyruar të lypin një monedhë në kryqëzimet e rrugëve, duke pastruar xhamat e makinave, atyre që e ndjejnë se në trenin e jetës nuk ka vend për ta”.

         “Sa e vështirë është të mburremi me shoqërinë e mirëqënies – vijoi Françesku – kur shohim se kontinenti ynë i dashur amerikan është mësuar të shohë mijëra e mijëra fëmijë e të rinj, që lypin rrugëve, që flenë në stacionet e trenave, nën dhe, në metropolitanë, ose aty ku gjejnë vend… Sa familje vazhdojnë të vuajnë kur shohin fëmijët, që bien viktima të tregtarëve të vdekjes. Sa e rëndë është të shohësh se e konsiderojmë tashmë normal përjashtimin e të moshuarve, duke i detyruar të jetojnë në vetmi, thjesht sepse nuk janë prodhues. Shoqëria, që po ndërtojmë për fëmijët tanë është gjithnjë e më tepër e karakterizuar nga shenjat e ndarjes e të fragmentimit, lë ‘jashtë loje’ shumë vetë, sidomos ata, që e kanë të vështirë të fitojnë edhe minimumin e domosdoshëm për të ecur përpara me dinjitet. Një shoqëri, së cilës i pëlqen të mburret me përparimet shkencore e teknologjike, por që është verbuar e bërë e pandjeshme para mijëra fytyrave, që mbeten pas përgjatë rrugës, të përjashtuar nga mendjemadhësia verbuese e pak vetëve. Shoqëri, që përfundon duke krijuar kulturën e zhgënjimit, të pakënaqësisë e të frustrimit në shumë prej vëllezërve; e edhe ankth në shumë të tjerë, që hasin vështirësi për të mos mbetur mbrapa”.

         “Duket – komentoi më tej Papa – se pa e kuptuar, jemi mësuar të jetojmë në ‘shoqërinë e mosbesimit’, me gjithçka do të thotë kjo për të tashmen e sidomos për të ardhmen; mosbesim, që pak nga pak shkakton plogështi dhe shpërbërje”. Për këtë arsye, vijoi Papa, duhet të mbështetemi tek Nëna e Zotit, sepse kjo nënë nuk na lë vetëm. Aty ku është Nëna, askush nuk do të humbasë. Maria u kërkon të gjithëve të jenë bujarë e ashtu si Ajo, t’i mbajnë krahët hapur, me dashuri e dhembshuri, për të ndarë gëzimet dhe vuajtjet e të gjithë popujve të tokës.

         “Mos kini frikë të dilni e t’i shihni të tjerët me të njëjtin vështrim të Marisë – përfundoi Papa Françesku. Vështrim, që na bën vëllezër. Ta bëjmë këtë, sepse si Juan Diego, e dimë se kemi këtu nënën tonë, e dimë se jemi nën mbrojtjen e saj, që është burimi i gëzimit, është ngrohtësia e përqafimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.