2016-12-11 15:20:00

Papa: për Sirinë, rrugëzgjidhje të qytetëruar. Po paqes, jo shkatërrimit


Të mos e harrojmë Halebin: kjo, thirrja e Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të cilën kërkoi të zgjidhet rruga e paqes për të gjithë ata, që vuajnë nga lufta. Françesku, ndërsa afrohet Krishtlindja, na fton t’i hapim zemrat për gëzimin e thellë, në pritje të ardhjes së Zotit.

Thirrje dramatike kjo, që bëri Ati i Shenjtë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, për t’u kujtuar të gjithëve se në mbarë Sirinë e, veçanërisht në Haleb, ka njerëz që vuajnë tmerrësisht. Jam çdo ditë pranë tyre - kujtoi Papa - posaçërisht në lutje:

“Nuk duhet ta harrojmë se Halebi është qytet e se në të ka njerëz: familje, fëmijë, pleq, të sëmurë… Për fat të keq jemi mësuar tashmë me luftën, me shkatërrimin, por nuk duhet harruar se Siria është vend  plot me histori, me kulturë, me fe. Nuk mund të pranojmë që e gjithë kjo të mohohet nga lufta, grumbull padrejtësish e gënjeshtrash. U bëj thirrje të gjithëve të angazhohen që të zgjidhet një rrugë e qytetëruar, t’i thuhet jo shkatërrimit e po paqes; po, njerëzve të Halebit e të Sirisë”.

Mendimi i Papës shkoi edhe tek “sulmet e egra terroriste që goditën orët e fundit disa vende, si Kairo, në Egjipt, ku një atentat kundër një kishëze, pranë katedrales kopte të Shën Markut, shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e dhjetra njerëzve:

“Të ndryshme vendet, por për fat të keq, e njëjtë dhuna,  që mbjell vdekje e shkatërrim, e një e vetme përgjigjja: besim në Zotin e unitet në vlerat humane e civile. Dëshiroj t’i shpreh afërsi të veçantë vëllait tim të dashur, Papës Tawadros II, si dhe bashkësisë së tij, duke u lutur për të vdekurit e të plagosurit”.

Në këtë të Dielë III të Kohës së Ardhjes, Françesku  kujtoi ftesën e Shën Palit  për t’u gëzuar në Zotin, duke shpjeguar se është fjala për një gëzim të thellë:

“Nuk është hare e cekët ose pastërtisht emotive, kjo për të cilën na nxit Apostulli, e as gëzim i botës, hare e konsumizmit, jo, nuk është kjo: është gëzim shumë më i vërtetë, shijen e të cilit jemi të thirrur ta zbulojmë. Gëzim, që na prek thellësitë e qenies sonë, ndërsa presim Jezusin, që erdhi për t’i sjellë botës shëlbimin, Mesinë e premtuar, lindur në Betlehem nga Virgjëra Mari”.

Përballë një situate shkretimi, të një fati të pamëshirshëm, pa Zotin - vijoi Papa - si ai, të cilin na e përshkruan Isaia, shpëtimi shpallet nga ardhja e Zotit, që e  shndërron gjithçka, që e pushton gjithë qenien njerëzore dhe e rilind:

“Zoti hyri në histori për të na shpëtuar nga skllavëria e mëkatit; e nguli çadrën mes nesh, për të jetuar si ne, për të na i shëruar sëmundjet, për të na i fashuar plagët e për të na dhënë jetë të re. Gëzimi është fryt i kësaj ndërhyrjeje shëlbimi e dashurie nga ana e Zotit”.

Të gjithë të krishterët janë të thirrur të pushtohen nga hareja:

 “Epo, një të krishteri, që nuk është plot hare, ose i mungon diçka, ose nuk  është i krishterë! I mungon gëzimi i zemrës, gëzimi i brendshëm, që na çon përpara e na jep guxim”.

Zoti të çliron nga të gjitha skllavëritë e brendshme e të jashtme, të tregon rrugën e besnikërisë, të durimit e të ngulmit, që kur të kthehet,  gëzimi ynë të jetë i plotë:

“Krishtlindja është afër, shenjat e afrimit të saj janë të dukshme nëpër udhët tona e edhe nëpër shtëpitë tona: edhe këtu, në Shesh, është gati Shpella e Betlehemit e edhe Bredhi i Krishtlindjes. Këto shenja të jashtme na ftojnë ta presim Zotin, që vjen gjithnjë e troket në portën tonë, troket në zemrën tonë, për të na u afruar; na ftojnë t’i njohim hapat e Tij ndër hapat e vëllezërve, që na kalojnë pranë, posaçërisht atyre më të ligshtëve e më nevojtarëve”.

Françesku, në përfundim, kërkoi ta ndajmë edhe me të tjerët gëzimin e ardhjes së afërt të Shpërblyesit, duke u dhënë ngushëllim e shpresë të varfërve, të sëmurëve, njerëzve të vetmuar e të palumtur.

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa iu drejtua posaçërisht fëmijëve e të rinjve të Romës, që kishin mbushur Sheshin, për bekimin tradicional të shtatoreve të Krishtit Fëmijë, organizuar nga Oratoret famullitare dhe nga shkollat katolike romake. Këto shtatore do t’i vendosin, në mesnatën e Festës së madhe, ndër shpellat, që tani janë gati për Zotin, me të gjitha shtatoret në vendet e veta, me kashtën e kafshët… në pritje të Mesnatës së Krishlindjes, kur e gjithë familja e bashkuar gjunjëzohet në lutje para Ferishtes Hyjnore:

“Të dashur fëmijë, kur të luteni para Shpellës së Betlehemit tuaj, me prindërit tuaj, kërkojini Krishtit Fëmijë t’ju ndihmojë të gjithëve ta doni Zotin e të afërmin” – i porositi Papa, duke u kujtuar që të luten edhe për Të.








All the contents on this site are copyrighted ©.