2016-12-10 17:26:00

Brazil: kundër korrupsionit protestojnë në sheshe me mijëra njerëz


Kundër korrupsionit në Brazil po protestojnë në sheshe me mijëra njerëz. Protesta pati këto ditë kudo, posaçërisht në në Rio-de-Zhanéjro e në San Paolo. E nuk është fjala për ngjarje të izoluara. Pakënaqësia dhe zhgënjimi për ëndrrën e tradhtuar, po e nxit pjesën më të madhe të shoqërisë të kërkojë me forcë nga institucionet transparencë e drejtësi!

“Po, është e vërtetë se ajo e Brazilit është demokraci e re e, prej këndej, edhe me kufizimet e veta” – komenton Silvonei Protz, përgjegjës i programeve në gjuhën portugeze të Radio Vatikanit - por është po aq e padiskutueshme edhe se po vijon të mbahet në këmbë. E vërteton fakti se nuk ka pasur ndonjë grusht shteti, që ta rrëzojë! Fajin, natyrisht  – vijon – nuk e ka demokracia në vetvete, por kush pretendon të bëhet zëdhënës i saj, e këtë njerëzit po e kuptojnë, e duhet ta kuptojnë thellësisht. Ndjehet fuqimisht e shihet qartë - përfundon - se diçka ka marrë në thua në sistemin tonë".

Nga Belo Horizonte vjen edhe dëshmia e drejtorit e zëvendës-kryetarit të Fondacionit të kooperimit për zhvillimin AVSI, Jacopo Sabatiello: “Korrupsioni këtu shtrihet në të gjitha nivelet e, në vend që të luftohet, për fat të keq, dëgjohet akoma shpesh herë shprehja: “Ç’të bësh! Ky është  Brazili!”. 

Por “Ç’të bësh!” do të thotë t’u sheshosh rrugën të korruptuarve, të luash me jetën e njerëzve të ndershëm, të vësh në diskutim bukën e tyre të përditshme e, jo më pak, fatet e vendit!

Shumë nga brazilianët po bëjnë atë që munden: po dalin në Sheshe, po protestojnë,  të paktën, po i shqetësojnë sadopak të korruptuarit!








All the contents on this site are copyrighted ©.