2016-12-08 09:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të mësojmë të paditurit e të qortojmë mëkatarët


Në emisionin e sotëm do të flasim për dy vepra të mëshirshme të shpirtit: “të mësojmë të paditurit e të qortojmë mëkatarët”.

Tradita biblike, përvoja fetare hebraike e bashkësitë e para të krishtera, por sidomos predikimi i Krishtit na bëjnë ta kuptojmë mirë ç’do të thotë “të mësojmë të paditurit”. Zakonisht e lidhim këtë shprehje me botën e shkollës, ku mësuesi, që di shumë, i mëson nxënësit, që dinë pak ose aspak. Por në traditën hebraike nuk është kështu. Të mësosh të tjerët do të thotë t’i bësh ta kuptojnë fenë e kjo lidhet me marrëdhëniet ndërmjet udhëheqësit shpirtëror e dishepullit. Ky lloj mësimi jep rezultat kur dishepulli përvetëson këndvështrimin e mësuesit mbi botën. Pra, nuk është fjala për përvetësimin e nocioneve, por për përpjekjen që e kthen në filozofi personale çdo gjë që të thotë mësuesi, në mënyrë që më pas, të ndërtosh diçka tënden në jetë: diçka të re, pavarësisht se të bazuar në mësimet e marra më parë. Nuk është fjala për arsimim, por për një përvojë të jetuar së bashku me mësuesin, përvojë fjalësh e veprash.

Në këtë lloj mësimdhënie, është e rëndësishme që në një pikë të caktuar, mësuesi të tërhiqet e t’i lerë vend dishepullit, që ai të ecë me hapat e veta. Kështu bëri edhe Krishti me dishepujt e vet. Duke ecur me Të, dishepujt njohën Mësuesin e vërtetë, me rrënjë në traditën hebraike, por bartës i një dashurie më të madhe, që i hap dyert e shëlbimit jo vetëm popullit të zgjedhur, por gjithë njerëzimit.

Edhe i padituri, apo injoranti, në traditën hebraike, nuk është ai që nuk ka arsim, nuk ka kulturë, por ai që nuk njeh fenë, që nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve themelore të jetës. Sot, njerëzit komunikojnë në kahe të kundërta të botës me telefona pa tel, janë në gjendje të shkojnë në Hënë e përtej, por heshtin para pyetjeve si: Përse jetojmë? Pse jemi lindur? Ku shkojmë? Por pikërisht përgjigjet e këtyre pyetjeve janë vendimtare për orientimin e jetës së njeriut.

 Është trashëgimia, që Krishti i ka lënë Kishës, detyra më e rëndësishme e së cilës është t’u mësojë njerëzve të vërtetën mbi identitetin e tyre e t’u zbulojë dashurinë e Zotit, shfaqur në Jezu Krishtin, e ta bëjë këtë pavarësisht nga pengesat, që mund të hasë. Ashtu siç thotë Shën Pali: “Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash Ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij: predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave. Ti veç rri zgjuar në çdo gjë me kujdes, duroji të vështirat, kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde!” (2 Tim 4,1-5).

Në këtë këndvështrim duhet parë edhe vepra tjetër e mëshirës “të qortojmë  mëkatarët”. Qortimi i njerëzve, që janë larguar nga udha e drejtë, shihet qartë që në Besëlidhjen e Vjetër, por Jezusi përcakton praktikën e qortimit vëllazëror në bashkësinë e besimtarëve: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës” (Mt 18,15-17).

Duken të qarta tri fazat, që duhen shoqëruar me mëshirë e lutje, pa harruar se për të qortuar të tjerët, duhet më parë, të heqim “traun” nga syri ynë, për të parë si duhet “qimen” në syrin e tjetrit. Në fund të etapës së tretë, vëllai në fe do të mbetet i tillë, por do të konsiderohei si të ishte pagan, pra, me të, duhet filluar edhe një herë rruga e kthimit kah Zoti, duke ia respektuar lirinë e zemrës. Qortimi mund të zgjojë edhe hidhërim e vuajtje, por kjo është normale, pasi kur dezinfektohet plaga e hapur djeg, por pastaj shërohet. Gjithsesi, duhet pasur kujdes për shpirtin e tjetrit, ashtu siç këshillon Shën Gjon Krizostomi: “Nuk duhet as t’i shajmë, as t’i fyejmë ata që mëkatojnë, por duhet t’i paralajmërojmë. Nuk duhet të flasim keq për ta e t’i diskreditojmë, por t’i këshillojmë. Duhet t’i ndreqim me dashuri e jo ta ngremë zërin kundër tyre me arrogancë. Ndreqe, pa dyshim, por jo sikur je armik, që kërkon drejtësi, por duke u sjellë si një mjek, që përgatit ilaçin për ta shëruar të sëmurin”.

Në shoqërinë aktuale, ku mbretëron individualizmi, mund ta këshillosh tjetrin, t’i bësh sugjerime të ndryshme, por jo ta qortosh, sepse, sipas bindjes tepër të përhapur, është vetë njeriu gjykatësi i vetvetes e askush nuk mund të hyjë në sferën private të tjetrit, sidomos nëse askush nuk ia kërkon këtë. Por i krishteri nuk është njeri, që kërkon respektin e jashtëm. Duke pasur gjithnjë në mendje faljen e mëkateve e shpëtimin e shpirtrave, e qorton vëllain e vet, sepse e ka për detyrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.