Papa Françesku: Lutja drejtuar Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës në Romë, 8 dhjetor 2016
O Mari, Nëna jonë e Papërlyer,
në ditën e festës sate vij tek ti,
e jo i vetëm.
Me mua janë të gjithë ata, që yt Bir m’i besoi
në Romë e në botën mbarë,
që ti t’i bekosh e t’i shpëtosh nga çdo rrezik.
Të sjell me vete, o Nënë, fëmijët
e posaçërisht ata më të braktisurit
që prandaj mashtrohen e shfrytëzohen!
Të sjell familjet,
që çojnë përpara jetën e shoqërinë
me angazhimin e tyre të përditshëm, të padukshëm;
në mënyrë të veçantë, familjet,
që ndjehen të lodhura e të këputura
me barrën e problemeve të brendshme e të jashtme
tejet të rënda mbi shpinë…
T’i sjell mbarë punëtorët, burra e gra,
e t’i besoj posaçërisht ata që,
nevoja i shtyn të bëjnë
punë të padenja për njeriun,
e edhe ata, që e humbën punën,
e punë tjetër nuk gjejnë.
Kemi nevojë për shikimin tënd të papërlyer,
që të rigjejmë aftësinë t’i shikojmë njerëz edhe sende
me respekt e mirënjohje,
pa interesa egoiste, pa hipokrizi.
Kemi nevojë për zemrën tënde të papërlyer,
për të dashur, pa pritur shpërblim,
veç së mirës së tjetrit,
thjeshtësisht e sinqerisht, pa maska e pa truke.
Kemi nevojë për duart tua të papërlyera
për të dhënë ledhatime përplot me dashuri,
për të prekur Korpin e Krishtit,
në vëllezërit e varfër, të sëmurë, të përbuzur,
për ta ngritur rishtas në këmbë
atë që u rrëzua;
e për ta ndihmuar, atë që lëkundet.
Kemi nevojë për këmbët e tua të papërlyera,
për ta ndihmuar atë
që s’di ta bëjë as hapin e parë;
për të ecur në shtigjet e atij që e humbi udhën,
për të shkuar në takim me njerëzit e vetmuar.
Të falënderojmë, o Nënë, pse të shohim
të lirë nga çdo njollë mëkati.
Kështu na kujton se para së gjithash
është hiri i Zotit,
dashuria e Jezu Krishtit, që dhuroi jetën për ne;
është forca e Shpirtit Shenjt, që gjithçka e përtrin.
Na e jep hirin të mos e humbasim kurrë guximin,
por, duke besuar në ndihmën tënde të vazhdueshme
të angazhohemi me fund për ta përtërirë vetveten,
këtë Qytet e botën mbarë.
Lutu për ne, Nëna e Shenjtë e Zotit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |