2016-12-08 14:28:00

Françesku i drejton lutjen Zojës së Papërlyer, në Romë, për familjen njerëzore të botës


Pasdite, në orën 600, Papa Françesku shkoi në Sheshin romak të Spanjës për të nderuar Zojën e Bekuar, i gjunjëzuar në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Papa Piu IX, më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30,  zjarrfikësit  i dhuruan Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.

Ndërsa lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957. Vijuan, pastaj procesionet e  besimtarëve, të punëtorëve,  të sivëllazërive, studentëve, shoqatave: një përrua njerëzor, me tufa lulesh në duar e lutje drejtuar Zojës së Papërlyer. Ceremonia zyrtare nisi në orën 16.30.

E sot edhe Papa Françesku vuri përsëri, sipas traditës, tek këmbët e Zojës së Papërlyer një shportë me lule e i drejtoi lutjen e dalë nga zemra, në emër të popullit shenjt të Zotit, të familjeve, të fëmijëve, të rinjve, të pleqve,  të sëmurëve, të  burgosurve, edhe në emër të atyre, që erdhën nga toka të largëta.

Papa Françesku: Lutja drejtuar Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës në Romë, 8 dhjetor 2016

O Mari, Nëna jonë e Papërlyer,

 në ditën e festës sate vij tek ti,

e jo i vetëm.

 

Me mua janë të gjithë ata, që yt Bir m’i besoi

në Romë e në botën mbarë,

që ti t’i bekosh e t’i shpëtosh nga çdo rrezik.

 

Të sjell me vete, o Nënë, fëmijët

e posaçërisht ata më të braktisurit

që prandaj mashtrohen e shfrytëzohen!

 

Të sjell familjet,

që çojnë përpara jetën e shoqërinë

me angazhimin e tyre të përditshëm, të padukshëm;

në mënyrë të veçantë, familjet,

që ndjehen të lodhura e të këputura

me barrën e problemeve të brendshme e të jashtme

tejet të rënda mbi shpinë…

 

T’i sjell mbarë punëtorët, burra e gra,

e t’i besoj  posaçërisht ata që,

nevoja  i shtyn të bëjnë

punë të padenja për njeriun,

e  edhe ata, që e humbën punën,

e punë tjetër nuk gjejnë.

 

Kemi nevojë për shikimin tënd të papërlyer,

që të rigjejmë aftësinë t’i shikojmë njerëz edhe sende

me respekt e mirënjohje,

pa interesa egoiste, pa hipokrizi.

Kemi nevojë për zemrën tënde të papërlyer,

për të dashur, pa pritur shpërblim,

veç së mirës së tjetrit,

thjeshtësisht e sinqerisht, pa maska e pa truke.

Kemi nevojë për duart tua të papërlyera

për të dhënë ledhatime përplot me dashuri,

për të prekur Korpin e Krishtit,

në vëllezërit e varfër, të sëmurë, të përbuzur,

për ta ngritur rishtas në këmbë

atë që u rrëzua;

e për ta ndihmuar, atë që lëkundet.

 

Kemi nevojë për këmbët e tua të papërlyera,

për ta ndihmuar atë

që s’di ta bëjë as hapin e parë;

për të ecur në shtigjet e atij që e humbi udhën,

për të shkuar në takim me njerëzit e vetmuar.

 

Të falënderojmë, o Nënë, pse të shohim

të lirë nga çdo njollë mëkati.

Kështu na kujton se para së gjithash

është hiri i Zotit,

dashuria e Jezu Krishtit, që dhuroi jetën për ne;

është forca e Shpirtit Shenjt, që gjithçka e përtrin.

Na e jep hirin të mos e humbasim kurrë guximin,

por, duke besuar në ndihmën tënde të vazhdueshme

të angazhohemi me fund për ta përtërirë vetveten,

këtë Qytet e botën mbarë.

Lutu për ne, Nëna e Shenjtë e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.