2016-12-07 18:28:00

Kriza qeveritare. Kardinali Parolin: duhet përgjegjësi e përvuajtëri


Përgjegjësia, bashkimi e pasuria e përbashkët: janë këto, tre parimet që sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i kujton në rrethanat e krizës politike italiane, pasuar nga fitorja e “jo’-së në referendumin mbi reformën kushtetuese. I pyetur nga gazetarët, gjatë një takimi në Romë, prelati i lartë foli si për shpresat, ashtu edhe për shqetësimet, që burojnë nga situata e sotme në Itali:

Përgjigje: - Si gjithnjë, ne i ndjekim me shumë vëmendje të gjitha ngjarjet, e edhe të fundmet nuk mund të mos i interesonin drejtpërdrejt Selisë së Shenjtë. Prej këndej, me shqetësim, por edhe me siguri, them se Italia ka burime njerëzore, shpirtërore dhe kulturore për ta përballuar këtë fazë të re e për të gjetur rrugëzgjidhje të reja. Ngulmoj mbi dy pika, që ishin cituar e që më duken tepër të rëndësishme: të gjithë, përballë kësaj faze të re, duhet ta ndjejmë fort përgjegjësinë tonë, e duhet ta ndjejnë, sidomos, forcat politike; pikë tjetër është të krijohet ai unitet, që e pranon larminë e qëndrimeve me dëshirën për ta ndërtuar vërtet të mirën e përbashkët. E për të qenë të vëmendshëm ndaj problemeve të qytetarëve, nga që mendoj se kjo është një nga gjërat që mungon; politikanët duhet ta fitojnë më shumë aftësinë e dëgjimit e të përgjigjes.

Pyetje: - Cilat janë emegjencat?

Përgjigje: - Besoj se emergjencat janë të shumta e mbeten gjithnjë ato, që tashmë dihen: para së gjithash, emergjenca e punës për të rinjtë, domethënë punësimi i të rinjve; emergjenca e familjes: nevoja për ta fuqizuar familjen për ne është themelore, pikërisht sepse familja vijon të mbetet shtylla, baza, qeliza e shoqërisë; e edhe emergjenca e emigracionit. Besoj se qeveria bëri gjithçka ishte e mundur përballë kësaj emergjence, kjo nuk mund të mohohet. Por është një projekt më i gjërë, një vizion më i hapur: ai i integrimit, fjalë magjike kjo, për të cilën duhet punuar më shumë pikërisht sepse nuk mund të jepen përgjigje të përnjëhershme, por duhet pasur një vizion afatgjatë, që krijon kushtet për drejtimin në mënyrë pozitive e konstruktive edhe të këtij realiteti,  tashmë i përditshëm. 








All the contents on this site are copyrighted ©.