2016-12-07 15:06:00

Imzot Rrok Mirdita, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim


Imzot Rrok Mirdita, ipeshkëv, meshtar e atdhetar, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim, më 7 dhjetor 2015. Dy fjalë mbi figurën, veprimtarinë,  stilin dhe dëshminë që dha Imzot Rroku për popullin, Kishën, Atdheun, pra për shoqërinë shqiptare. Po e kujtojmë sot, më 7 dhjetor 2016, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim, me fjalët e Papës Françesku, drejtuar kryeipeshkvit të ndjerë, imzot Rrokut, me rastin e 50-të vjetorit të meshtarisë së tij, kremtuar pak muaj para vdekjes, më 4 korrik 2015.

“Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit”:  kështu pra, Papa Bergoglio e paraqiti, një vit më parë, angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv metropolit i Tiranës-Durrësit, me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë, që u kremtua më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë.

Papa Françesku, në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës, përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë, më 4 korrik 2015. Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat e rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita pati gjatë 50 vjetëve të meshtarisë së tij, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e të urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që është qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës.

Imzot Rrok Mirdita ishte e mbetet një protagonist dhe dëshmitar i një periudhe të veçantë për kombin e Kishën shqiptare, atë menjëherë pas rënies së regjimit të diktaturës komuniste, fillimit të rindërtimit të indit shoqëror, njerëzor, shpirtëror, kishtar e kombëtar nga viti 1993 deri më 2015.

Imzot Rrok Mirdita ishte atdhedashës, lajmëtar i fesë së krishterë, për të cilën jetoi e veproi me vetëmohim, përherë në shërbim të Zotit e të popullit, për Fe e Atdhe, për të mirën dhe përparimin e besimtarëve, të Kishës, të shoqërisë e të mbarë popullit shqiptar.

Imzot Mirdita njihet për misionin e tij ipeshkvnor, në krye të Kishës dioqezane të Tiranë-Durrësit, që nga viti 1993 deri në ditën e kalimit në Amshim, më 7 dhjetor 2015,  por ekziston edhe periudha po aq e frytshme, si meshtar, në mesin e diasporës shqiptare në Nju Jork të SHBA-së.

Kudo e kurdoherë punoi në vreshtin e Zotit, në mesin e popullit të tij dashur shqiptar, me entuziazëm, me hov, vrull, përkushtim në një shërbim të pareshtur, si bari i mirë shpirtëror që ishte, për popull e me popull.

Duhet nënvizuar edhe pasioni që kishte Imzot Rroku gjatë shërbimit të tij për Kishën e  popullin shqiptar. Ai e njihte mirë  jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e popullit shqiptar, ia dinte ëndrrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhitë, të mirat e të këqijat, prandaj si Bari e Prijës Shpirtëror, bëri gjithçka mundi për t’i prirë popullit në udhën e Zotit e të atyre vlerave që janë shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, duke theksuar sfidat e duke propozuar udhën për t’i bërë ballë atyre, gjithmonë  duke pasur si qëllim e synim, të mirën e popullit dhe të Kishës.

Imzot Mirdita do të kujtohet si kryeipeshkëv i vendosur, i qëndrueshëm, i durueshëm, largpamës, i urtë, i përzemërt, i afërt dhe i matur.

Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioqezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit, shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të domosdoshme për një demokraci të mirëfilltë. Dinte ç'thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin e orientimin që i jepte kujtdo.

Kam pasur fatin, si kryeredaktor i programit shqip të Radio Vatikanit, posaçërisht në vitet e para të misionit të tij kryeipeshkëvnor, të isha dëshmitar i shumë nismave, veprave, mësimeve, udhëzimeve, vizioneve që Imzot Rroku pati e na la. I ruaj si thesar të çmueshëm, e lus Zotin për pasardhësin e denjë të tij në Kishën kryedioqezane të Tiranë-Durrësit.

Në përvjetorin e kalimit në amshim të Imzot Rrok Mirditës, nga arkivi ynë ju propozojmë fjalët e tij me rastin e festës liturgjike të Shën Nënë Terezës (asokohe ende e Lume)....








All the contents on this site are copyrighted ©.