2016-12-06 13:17:00

Papa: e njeh doktrinën e krishterë, kush njeh dashurinë e Zotit


Kush nuk e njeh dashurinë e Zotit, nuk e njeh as doktrinën e krishterë: këtë theksoi sot Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës, kushtuar sidomos figurës së Judës.

Juda, figurë biblike e deles së humbur

Në qendër të homelisë së Papës ishte Ungjilli i deles së humbur e i gëzimit të Zotit, që nuk pushon s’e kërkuari, derisa e gjen. Ai vjen si gjyqtar - shpjegoi Françesku - por jo si gjyqtar, që dënon. Ai është gjyqtar që ledhaton, gjyqtar përplot me dashuri: bën gjithçka për të na shpëtuar: nuk vjen të dënojë, vjen të shëlbojë. E kërkon secilin nga ne, na do personalisht, nuk do një masë të vagëlluar, por na do me emër, na do kështu si jemi.

Delja - komentoi Papa - nuk humbi sepse s’ kishte busull në dorë. E dinte mirë udhën. Humbi, sepse e kishte zemrën të sëmurë, të verbuar nga dëshira për t’u larguar nga Zoti, për ta ngopur errësirën, që ia kishte pushtuar shpirtin e që e shtynte të bridhte në kërkim të një jetë të dyfishtë: donte të ishte në grigjë, por edhe të ikte në errësirë. Zoti i njeh mirë këto  gjendje shpirtërore, prandaj shkon ta kërkojë. Figura, që më ndihmon më shumë ta kuptoj sjelljen e Zotit me delen e humbur - shpjegoi Papa - është sjellja e Zotit me Judën:

“Delja e humbur më e përkryer e Ungjillit, është Juda: një burrë, që gjithnjë, gjithnjë, e kishte zemrën plot me vrer, gjë që e shtynte t’i kritikonte të tjerët gjithnjë, të veçohej gjithnjë. Nuk e njihte ëmbëlsinë e  jetës ndërmjet të tjerëve. E gjithnjë, si delja, që nuk ishte aspak e kënaqur, Juda nuk kënaqej kurrë. Ikte. Ikte, sepse ishte hajdut, ecte në këtë udhë. Për të, gjithë të tjerët ishin të flligshtë, ishin…të tjerët… Njerëz si Juda ikin, gjithnjë, sepse shpirti i tyre i zhytyr në errësirë i shtyn të ndahen nga grigja. E kjo është jetë e dyfishtë, që e jetojnë, jo pa dhimbje, shumë të krishterë e, mund të themi, edhe shumë priftërinj e ipeshkvij…. Të mos harrojmë: Juda ishte ipeshkëv, ishte një nga ipeshkvijtë e parë, eh? E edhe dele e humbur! Qyqari. I shkreti vëllau Judë – siç e quajti don Mazzolari, në një nga predikimet e tij më të bukura: “Vëlla Judë, ç’po ndodh në zemrën tënde?”. - Ne duhet t’i kuptojmë delet e humbura. Sepse në fund të shpirtit edhe ne e kemi një skutë të pushtuar nga ajo errësirë, që e kishte pushtuar delen, e cila iku e humbi".

Pendimi i Judës     

Kjo, që bën delja e humbur - nënvizoi Papa - nuk është gabim, po sëmundje, sëmundje zemre, që djalli i rri gati dhe e shfrytëzon për qellimet e veta. Kështu Juda, me zemrën e tij të ndarë, të veçuar, është ikonë e deles së humbur, të cilën bariu shkon ta kërkojë. Por Juda nuk deshi ta kuptojë Bariun e, në fund të fundit, kur e pa hatanë, që shkaktoi jeta e tij e dyfishtë në bashkësi, kur e kuptoi se kishte mbjellë farën e së keqes, me errësirën e shpirtit të tij, që e shtynte të ikte gjithnjë, duke kërkuar drita që nuk ishin drita e Zotit, por drita që i ngjisnin stolive të Bredhit të Krishtlindjes, drita artificiale, e pushtoi një dëshpërim i papërshkrueshëm. E Papa komentoi:

“Është një fjalë në Bibël - Zoti është i mirë edhe për këto dele. Nuk pushon kurrë duke i kërkuar. Është, pra, një fjalë, që thotë se Juda përfundoi i varur, i varur e ‘i penduar’. Unë besoj se Zoti do ta marrë këtë fjalë e do ta mbajë me vete… nuk e di, por kjo fjalë të bën të dyshosh. Ç’kuptim ka? Ndoshta ka kuptimin se dashuria e Zotit punoi deri në fund të fundit në këtë shpirt, punoi deri në çastin e dëshpërimit... Sepse kështu sillet Bariu i Mirë me delet e humbura. E ky është edhe kumti, është lajmi i mirë, që sjell Krishtlindja, lajm i cili kërkon galdim të sinqertë, që e shndërron zemrën, që na nxit të shkojmë e të gjejmë ngushëllim tek Zoti e jo ngushëllimin që ne shkojmë ta kërkojmë për të shfryrë inatet, për të ikur nga realiteti, nga tortura shpirtërore, të cilën e provon njeriu me jetë të dyfishtë".

Pushteti i Zotit dhe dhembshuria e Tij

Jezusi, kur e gjen delen e humbur, nuk e fyen, edhe pse ka bërë shumë keq. Në kopshtin e ullinjve e quan Judën “mik”. Janë ledhatimet e Zotit:

“Kush nuk i njeh ledhatimet e Zotit, nuk e njeh doktrinën e krishterë! Kush nuk e lë Zotin ta ledhatojë, është i humbur! E ky është edhe lajmi i mirë, ky, galdimi i sinqertë, që duam ne sot. Ky, ngushëllimi, që e kërkojmë: të vijë Zoti me pushtetin e Tij, që janë ledhatimet e Tij, të na kërkojë, të na gjejë, të na shpëtojë, si delen e humbur e të na prijë përsëri kah grigja e Kishës së Tij. Zoti na e dhashtë këtë hir, ta presim Krishtlindjen me plagët tona, me mëkatet tona të pranuara sinqerisht, ta presim me pushtetin e këtij Zoti, i cili vjen të na ngushëllojë, vjen me pushtetin e Tij, me pushtetin e dhembshurisë, të ledhatimit, që i lind në zemër. Në zemrën aq të mirë të Atij, që dha jetën për ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.