2016-12-04 14:54:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: mbretëria e qiellit është këtu, nëse janë dashuria e përvujtëria


Mbretëria e qiellit nis tani, këtu, mbi tokë, nëse bëjmë kthesë, domethënë, nëse heqim dorë nga egoizmi, për t’ia hapur zemrën Zotit, që të dhuron lumturinë, dashurinë, lirinë e vërtetë: këtë  theksoi sot Papa Françesku, duke kremtuar lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, përballë një turme shtegtarësh, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, që përgatitet për Festat e mëdha të fundvitit, me Bredhin e Krishtlindjes, tashmë të stolisur e Shpellën e Betlehemit, në përfundim e sipër.

Në Ungjillin e së dielës së dytë të Kohës së Ardhjes, jehon fuqishëm ftesa e Gjon Pagëzuesit: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është fare pranë!”(Mt 3,2). Ky është edhe mesazhi kryesor i çdo misioni të krishterë - pohoi Papa - e nuk bëhet fjalë për veprimtari prozelitizmi, si të ishin të krishterët tifozë në kërkim të përkrahësve të rinj për skuadrën e tyre, por “kumt i gëzueshëm”: po vjen mbretëria e Zotit, madje, është fare pranë! Është mes nesh! Por, kur flasim për mbretërinë qiellore - nënvizoi Ati i Shenjtë - mendojmë menjëherë për jetën e pasosur:

“Natyrisht, kjo është e vërtetë. Mbretëria e Zotit shtrihet pa fund, përtej kufijve të jetës tokësore, por lajmi i mirë, që sjell Jezusi  - e që Gjoni e përshpejton - është se mbretërinë e Zotit nuk duhet ta presim në të ardhmen: është afruar e, në një farë mënyre, mund të themi se është e pranishme, madje edhe se mund ta provojmë që tani pushtetin e saj shpirtëror (…). Zoti vjen të vendosë sundimin e vet mbi historinë tonë. Mbi të sotmen tonë të përditshme. Mbi jetën tonë. E atje ku ajo vjen e pritet me fe e përvujtëri, mugullojnë dashuria, gëzimi, paqja”.

Kushti për të hyrë e për të bërë pjesë në këtë mbretëri - shpjegoi Papa - është të bësh një ndryshim në jetën tënde, të bësh një kthesë çdo ditë, të bësh një hap para çdo çast:

“Kjo do të thotë t’i lësh udhët e rehatshme, por të gabuara, të idhujve të kësaj bote: suksesin me çdo kusht, pushtetin në dëm të më të ligshtëve, etjen për pasuri, kënaqësitë me çdo çmim. E t’ia hapësh udhën Zoti, që vjen! Ai nuk na e heq lirinë tonë, por na jep lumturinë e vërtetë. Me Lindjen e Jezusit në Betlehem, vetë Zoti nisi të banojë ndër ne, për të na çliruar nga egoizmi, nga mëkati, nga korrupsioni, nga sjelljet, që sapo i kujtuam e që janë të djallit”.

Krishtlindja - vijoi Françesku - është ditë e madhe gëzimi. Ditë kur gëzojnë korp e shpirt. Por, sidomos, ngjarje fetare, për të cilën duhet të përgatitemi, në mënyrë të veçantë, shpirtërisht. Shën Gjon Pagëzuesi na fton t’ia sheshojmë shtigjet Zotit:

“E ne ia përgatisim udhën Zotit, ia rrafshojmë shtigjet e Tija, kur e rrëmojmë ndërgjegjen tonë, kur i shqyrtojmë sjelljet tona, për të dëbuar nga shpirti gjithçka mëkatare. Na ndihmoftë Virgjëra Mari të përgatitemi për këtë takim me dashuri gjithnjë më të madhe, me atë dashuri, që na sjell Jezusin, Atë, që Natën e Krishtlindjes u bë i vogël-i-vogël, i vogël sa një farë drite e rënë mbi tokë. E Jezusi është kjo farë, kjo farë e Mbretërisë së Zotit".

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi të gjithëve urimin:”Udhë të mbarë në Kohën e Ardhjes”, duke u lënë takim për festën e Zojës së Papërlyer, me lutjen e Engjëllit të Tënzot në orën 12 të mesditës dhe lutjen tradicionale në Sheshin romak të Spanjës, në orën 16.00:

“Këto ditë të lutemi të bashkuar duke kërkuar ndërmjetësimin e saj amëtar për kthesën e zemrave e dhuratën e paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.