Më datën 4 dhjetor, kalendari i Kishës katolike përkujton shën Gjon Damashenin, murg e teolog i shekujve të parë të Kishës, meshtar e dijetar i Kishës. Ai që u pagëzua me emrin Jahja ibn Sargun ibn Mansur, lindi aty nga gjysma e shekullit VII në një familje arabe kristiane e vdiq në vitin 749. E zgjodhi jetën e manastirit, përpara jetës së oborrit mbretëror, konsiderohet si përfaqësuesi i fundit i patrologjisë greke dhe lindore për veprat e tij monumentale, ndërmjet të cilave shquhet "Burimi i dijes".
Veprimtaria letrare e shën Gjon Damashenit është jashtëzakonisht e larmishme: ishte
poet e autor tekstesh liturgjike; gojëtar, filozof e apologjet. Bir i njërit nga funksionarët
më të lartë të Khalifit të Damaskut, Gjoni i vogël pati shokë lodrash princin trashëgimtar
të vendit, që më vonë do t'i propozonte detyrën e t'et si ministër i financave.
Po ai, më shumë se oborrin mbretëror, më tepër se ofiqet e luksin e pallatit, parapëlqeu
të mbyllej në kuvendin e Shën Sabës, pranë Jerusalemit, ku u shugurua meshtar dhe
thelloi njohuritë e tij teologjike, duke u përgatitur kështu për detyrën e predikatarit
në bazilikën e Varrit të Krishtit.
Nga Jerusalemi zëri i tij nisi të dëgjohej në të gjithë botën e krishterë, në mbrojtje
të çështjeve më të shenjta. Mbeti i famshëm shkrimi "Tre diskutime në favor të figurave
të shenjta" në mbrojtje të figurave kundër ikonathyersve, të udhëhequr nga vetë perandori
i Bizancit, Leoni III. Iu desh ta paguante shtrenjtë këtë akt të guximshëm kundër
vetë Perandorit.
Në këtë diskutim filozofik, Shën Gjoni pati rastin të zbulonte gjithë përgatitjen
e tij teologjike, vënë në dispozicion jo vetëm të Patrikut të Jerusalemit, por të
mbarë Kishës. Kështu në Koncilin II të Nikesë ( i 7-ti ekumenik) ai u vlerësua jashtëzakonisht
jo vetëm për diturinë e jashtëzakonshme por kryesisht për shenjtërinë e tij.
Shën Gjon Damasheni qe ndër të parët që bëri dallimin ndërmjet adhurimit e nderimit
të figurave në kultin publik e privat: mund të adhurohet shpirtërisht vetëm Zoti,
ndërsa ikonat mund të përdoren për t’iu drejtuar atij, që paraqitet në vetë figurën.
Në homelitë e tij kushtuar kësaj çështjeje, Gjon Damasheni, përdor argumente të pasura
me përfytyrime mahnitëse. Nuk adhuroj materien – pohon ndërmjet tjerash teologu i
lashtë – por krijuesin e materies.
Në lidhje me këtë ide tejet të rëndësishme Gjon Damasheni e shikon edhe nderimin e
shenjtorëve, me bindjen se shenjtorët e krishterë, që u bënë pjesëtarë të ringjalljes
së Krishtit, nuk mund të konsiderohen thjeshtë si të vdekur. E pastaj vetë misteri
i Mishërimit të Zotit është shembulli më i lartë, që na bind se materia, apo lënda,
bëhet ‘banesa e Hyjit’. E këtë koncept edhe një herë mund ta shprehim me fjalët e
Gjon Damashenit: “E kështu biri i Hyjit, ndonëse gjithnjë në formën e Zotit, uli qiejt
e zbriti.. pranë shërbëtorëve të tij… duke bërë më të renë ndërmjet të gjitha gjërave,
gjënë e vetme të re nën këtë diell, përmes së cilës shprehu vërtetë pushtetin e pafundmë
të Hyjit”. “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së
qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.
All the contents on this site are copyrighted ©. |