2016-12-02 16:18:00

Shumë martirë, ndërmjet 24 të Lumëve të ardhshëm.


Kisha do të ketë, së shpejti, 24 të Lum të rinj, ndërmjet të cilëve, martirë të luftës civile spanjolle dhe të regjimit komunist sovjetik. Papa Françesku autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve për shpalljen e dekreteve përkatëse. Njihen edhe virtytet heroike të 8 Shërbëtorëve të Nderuar të Zotit.

Kisha së shpjeti do të nderojë 24 të Lum të rinj, ndërmjet të cilëve, shumë rregulltarë, ndonjë laik e gati gjithë të tjerët, martirë. Ndër ta spikat figura e atë Stanley Francesco Rother, martiri i parë katolik në SHBA, që ua çoi fjalën e Zotit indianëve Tzutuhil, pasardhës të indianëve Maya. Si mësoi gjuhën e tyre, përktheu në këtë gjuhë Besëlidhjen e Re dhe Ritin e Meshës. U vu krejtësisht në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të tyre, gjë që u ra në sy diktaturave ushtarake të kohës e skuadrave të tyre të vdekjes, që e mbytën në banesën e tij, më 28 korrik 1981, pasi pa  të pushkatoheshin 20 besimtarë të famullisë së tij. Kur lajmi i zi i vrasjes së tij mori dhenë, indianët arritën me mijëra për t’u lutur në famullinë e  Santiago Atitlan dhe kërkuan që zemra e Atit të tyre shpirtëror të varrosej përgjithmonë në trojet e tyre, për të cilat kishte dhuruar jetën.

Do të lumnohen edhe shumë nga martirët e tjerë, si atë Vincenzo Queralt Lloret, meshtar i Kongregatës së Misionit, që jetoi në Barcelonë, në vitet e luftës civile spanjolle e të persekutimit të Kishës. Si e zbuluan se vijonte të ungjillëzonte, edhe pasi kjo veprimtari ishte ndaluar rreptësisht, e mbytën, nga urrejtja për fenë.

Të njëjtin fat patën edhe gjashtë meshtarë të së njëjtës Kongregatë, pesë priftërinj dioqezanë, dy rregulltare, Bija të Dashurisë e gjashtë laikë të Shoqërisë Bijtë e Zojës së Madajës së Mrekullueshme.        

Ndërsa martir i ateizmit shtetëror në regjimin komunist sovjetik, është  Teofilo Matulionis, kryeipeshkëv lituan i Kaišiadorys, që u përpoq me të gjitha forcat për rifillimin e mësimit të besimit katolik në shkolla e për këtë u burgos disa herë, u internua në Siberi e iu konfiskua gjithçka kishte, para se të pushkatohej më 20 gusht 1962,  jo shumë larg nga kohët tona.

 Së fundi, don Giovanni Schiavo, meshtar i  Kongregatës së Shën Jozefit,  viçentin, që e zhvilloi apostullimin në gjithë veriun e Italisë, para se të nisej për mision në Brazil. Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si njeri  e meshtar shumë i vlerësuar për drejtimin e urtë shpirtëror, edukator i vëmendshëm, delikat me të varfërit, gjithnjë me buzë në gaz. Kush e njohu vijon ta kujtojë për forcën tipike të shenjtorëve e aftësinë për të mbjellur  paqe e gëzim.

 

Ndërmjet Shërbëtorëve të Nderuar të Hyjit, është  kardinali kapuçin Guglielmo Massaja (1809-1889), misionar në Etiopi;

Don Nunzio Russo, prift dioqezan, themelues i Kongregatës së Bijave të Kryqit ( 1841-1906);

Don Giuseppe Bau Burguet prift dioqezan (1867-1932);

Don Mario Ciceri,  prift dioqezan  (1900-1945):

Nënë Maria Giuseppa Aubert, themeluese e  Institutit  të Bijave të Zojës së Dhimbshme (1835-1926).

Nëna Luce Rodríguez-Casanova y García San Miguel, Themeleuese e   Kongregatës së Grave Apostolike të Zemrës së Krishtit (1873- 1949).

Nënë Caterina Aurelia e Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit, themeluese e Kongregatës së Motrave adhuruese të këtij Gjaku(1833-1905).

Motër Leonia Maria Nastał, rregulltare e Kongregatës së Shërbëtoreve të Vogla  të Zojës së Papërlyer(1903-1940).








All the contents on this site are copyrighted ©.