Sot më 2 dhjetor, kalendari Kishës katolike përkujton Shën Bibianën, patrice romake,
virgjër e martire; Shën Pimenin, martir dhe shën Silverin, papë.
Po ndalemi më hollësisht tek figura e Shën Bibianës. Emri Bibianë rrjedh nga Vivianë,
që në greqisht do të thotë jetë = bios. Kështu emri i saj u bë sinonim i gjallërisë,
shkathtësisë, i njeriut plot jetë.
E lindur në Romë në vitin 352 Bibiana, sipas passio-s apo rrëfimit të mundimit, do
të thotë të kalimit të saj nga kjo jetë në amshim, shkruar në shekullin VII, është
ndërmjet viktimave të persekutimit të të krishterëve në kohën e Julit, njohur me epitetin
Apostati, apo Sakrilegji.
Virgjërës Martire, pasi e torturuan, për ta bërë të mohonte Krishtin, i prenë kokën.
E sot kjo kokë ruhet në kapelën e të kryqëzuarit në bazilikën e Shën Marisë së Madhe
në Romë dhe ekspozohet për besimtarët në ditët e kreshmëve si dhe më 2 dhjetor, në
festën e saj. Martirizimi i shenjtës frymëzoi shumë artistë, që realizuan një numër
të madh ikonash kushtuar Virgjërës Martire, e jo më pak devocionit popullor. Njihet
si pajtore e njerëzve që kanë dhimbje koke, ngërçe, epilepsi, si dhe e viktimave të
alkoolizmit e të aksidenteve. Shën Bibiana në traditën popullore ka edhe rëndësi meteorologjike.
Thuhet se në ditën e festës së saj mund të bëhen parashikime se si do të jetë dimri
në vijim.
All the contents on this site are copyrighted ©. |