2016-12-01 15:51:00

Papa: t’u krijohen mundësi pune të rinjve, për të shmangur “ikjen e truve”


Nëse krijohen mundësi të vlefshme për punësim në shoqëri, mund të shmanget e ashtuquajtura “ikje e truve”. Është një nga reflektimet e Papës Françesku, që priti sot, në Sallën Klementine, 150 pjesëmarrës të Kongresit IV Botëror të Baritorisë për studentët ndërkombëtarë. Takimi, kushtuar sfidave morale, që duhen përballuar për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, u organizua nga Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët. Të pranishmit, ndërmjet të cilëve shumë veprimtarë baritorë, e studentë universitarë, i shoqëronte kardinali Maria Vegliò, kryetar i dikasterit vatikanas.

Të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, një botë më njerëzore, duke u mbështetur në pasurimin  personal e kulturor, që i krijon, pastaj, çdo të riu mundësinë të hyjë më lehtë në botën e punës. Papa Françesku i nxiti kështu studentët ndërkombëtarë e, njëkohësisht, kujtoi edhe mundësitë që u duhen ofruar:

“Shoqëria është e thirrur t’u ofrojë breznive të reja mundësi të vlefshme punësimi, duke shmangur kështu të ashtuquajturën ‘ikje të truve’.  Fakti që gjithkush mund të zgjedhë lirisht të shkojë e të specialiazohet jashtë vendit, është gjë e mirë dhe e frytshme; ndërsa është tejet e dhimbshme që të rinjtë e përgatitur të detyrohen ta braktisin vendin e tyre, sepse nuk u krijohen mundësitë për punë”.

Fenomeni i studentëve ndërkombëtarë nuk është i ri – vërejti Papa – por në ditët tona po vijon të bëhet gjithnjë më i shpeshtë, për shkak të të ashtuquajturit globalizim që, duke i shembur kufijtë “hapësinorë e kohorë” favorizon takimin dhe shkëmbimin ndërmjet kulturave, por jo - vërejti Papa -  pa pasoja negative:

“Vërejmë pasoja negative, si krijimi i një farë mbylljeje, i mekanizmave mbrojtëse përballë larmive, mureve të brendshme, që nuk të lejojnë ta shikosh vëllain a motrën në sy e të kujtohesh për nevojat e tyre reale. Edhe ndërmjet të rinjve - e kjo është vërtet e trishtueshme, mund të depërtojë ‘globalizimi i indiferencës’, që na bën të paaftë të ndjejmë dhembshuri përballë dhimbjes së të tjerëve”.

Ndërsa Papa Françesku dëshiron që të rinjtë ta jetojnë globalizimin me rezultate pozitive, duke aktivizuar aftësitë e tyre të mëdha:

“Ju, studentë, duke e kaluar kohën larg nga vendi juaj, në familje e rrethana të ndryshme, mund të zhvilloni aftësitë për t’u përshtatur, duke mësuar të jeni rojtarë të të tjerëve, parë si vëllezër e të krijimit, parë si shtëpia e përbashkët. E kjo është vendimtare për ta bërë botën më njerëzore”.

Papa foli për një edukim, që të mëson të mendosh në mënyrë kritike e që të ofron një udhë, e cila çon në pjekurinë e vlerave, në mënyrë që të formohen të rinj të etur për të vërtetën, e jo për pushtetin, të gatshëm për të mbrojtur vlerat e për ta jetuar mëshirën e dhembshurinë, baza kryesore për një shoqëri më të drejtë. E u rikujtoi të rinjve universitarë edhe ftesën e Gjon Palit II  për të qenë “roje të agimit”, me sytë drejtuar kah Krishti e historia, duke kumtuar shëlbimin e Jezusit  e dritën e tij, në një botë shpesh herë të kapërthyer nga errësira e indiferencës, e egoizmit, e luftës.








All the contents on this site are copyrighted ©.