2016-11-30 15:19:00

Në Haleb të Sirisë, 20 mijë vetë në ikje nga luftimet


Në Siri, beteja për rimarrjen e Halebit nga forcat qeveritare ka arritur kulme “të frikshme”, siç shprehet OKB-ja. 20 mijë vetë janë larguar nga qyteti, ndërsa pritej mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kërkuar nga Franca, për t’i bërë ballë katastrofës humanitare. Numri i fëmijëve, që jetojnë në rrethim, sipas organizatave ndërkombëtare ka arritur në 50 mijë. Ndërkaq, dje, u bë i njohur propozimi i sirianëve për vendin e tyre: krijimi i zonave humanitare, shpallja e armëpushimit dhe formimi i një qeverie mbarëkombëtare, që të përfaqësojë të gjithë popullin. Këto, disa nga pikat kryesore të kërkesës, që iu dërgua Komisionit Evropian nga ajo pjesë e popullit sirian, që jeton tashmë në kampet e refugjatëve në veri të Libanit. E promovuar nga Operacioni Pëllumbi, Trupat e Paqes dhe nga Bashkësia “Papa Gjoni XXIII”, letra u mor në dorëzim nga zv.presidenti i Bashkimit Evropian, Frans Timmermans, i cili i priti vullnetarët të hënën. Por për gjendjen në vend të dëgjojmë famullitarin e kishës latine të Halebit, atë Ibrahim Alsabagh:

Dëgjojmë ushtrinë e rregullt, që avancon së bashku me avionët luftarakë  e me ata rusë, si edhe me forcat iraniane për të çliruar lindjen e qytetit. Ka shumë bombardime nga të gjitha palët. Gjatë ditës, e madje, edhe gjatë natës, në pjesën tonë perëndimore, hidhen bomba mbi shtëpi e banesa e kjo i terrorizon njerëzit. Kemi marrë pjesë në shumë funerale fëmijësh. Kemi parë masakra të vërteta nga bombat, që kanë rënë mbi klasat e shkollave, në mes të ditës, kur janë plot e përplot me fëmijë. Kemi parë me sytë tanë ç’do të thotë për një të ri t’i humbasë të dyja këmbët, ose ta ketë trupin të mbushur me plumba apo me cifla bombash. Fëmijët vuajnë edhe për shkak të mungesës së ushqimit, jetojnë në terror, me probleme psikologjike. E vuajnë edhe gratë, sidomos të rejat.  








All the contents on this site are copyrighted ©.