2016-11-30 12:02:00

Ngushëllimi i Papës për viktimat e aksidentit ajror në Kolumbi


Papa Françesku shpreh ngushëllime për viktimat e aksidentit ajror, që ndodhi në Kolumbi, natën ndërmjet së hënës e të martës. Dy, telegramet: njëri me firmën e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, dërguar kryeipeshkvit të Brazilias, kardinalit Sérgio da Rocha, ndërsa tjetri, me firmën e zëvendësit të Sekretarisë së Shtetit, imzot Angelu Becciu, për ipeshkvin e Sonsón-Rionegro, imzot Fidel León Cadavid Marín.

         Ndër pasagjerët e avionit, edhe skuadra e futbollit e Chapecoense. Vetëm gjashtë vetë kanë mbijetuar nga aksidenti, në të cilin gjetën vdekjen 71 të tjerë. Arsyet e rënies së avionit, në zonën ndërmjet Brazilit dhe Medelinit, akoma nuk dihen me saktësi, por mund të jenë o defekt elektrik, o mungesë karburanti. Papa Françesku shpreh tronditjen për tragjedinë dhe siguron lutjet e veta që të prekurit nga ky mort të kenë ngushëllimin e shpresës së krishterë.

         Edhe sot, Ati i Shenjtë e përmendi aksidentin në audiencën e përgjithshme:

         “Dua të kujtoj dhimbjen e popullit brazilian për tragjedinë e skuadrës së futbollit e të lutem për lojtarët e vdekur e për familjet e tyre”.

         Papa e krahasoi këtë tragjedi me atë italiane të vitit 1949, kur ra avioni, që sillte nga Lisbona, skuadrën “Gran Torino”. Më 4 majin e 67 vjetëve më parë, viktimat qenë 31. Ndërkaq, dje, në kishën e Chapeco-s, u kremtua mesha për shpirtin e 71 viktimave të aksidentit, në të cilën morën pjesë mijëra vetë, që më pas, shkuan drejt Arenës Conda për t’i bërë homazhe klubit të futbollit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.