2016-11-29 14:26:00

Simpoziumi i ekonomëve: linjat e veprimit për të ardhmen


Përfundoi të djelën Simpoziumi i dytë Ndërkombëtar i ekonomëve, organizuar në Universitetin Antonianum në Romë, nga Kongregata e Vatikanit për Institutet e Jetës së shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës apostolike. Ky simpozium vuri në dukje qartë kriteret për vendimet e ardhshme të rregulltarëve në mënyrën e shpenzimit të fondeve në dispozicion.

Siç theksoi Sekretari i Kongregatës së Varikanit për Institutet e Jetës së shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës apostolike, imzot José Rodrigueez Carballo, vendimet e ardhshme duhet të sigurojnë besnikërinë ndaj karizmës, pra, të gjitha veprat dhe burimet e çdo Instituti duhet t’i shërbejnë asaj. Së dyti, kujdesi për pasurinë kishtare: duhet ruajtur trashëgimia ekzistuese, pra, duhet siguruar gjithçka e nevojshme për pavarësinë ekonomike dhe mbijetesën e çdo instituti rregulltar, si edhe për arritjen e qëllimeve të tij. Së treti, veprat duhet të jenë të qëndrueshme, prandaj që para realizimit të tyre, duhet verifikuar nëse mund t’i qëndrojnë kohës, nëse sigurojnë besnikërinë ndaj karizmës dhe ekuilibrin ekonomik, pra, nëse shpenzimet e mirëmbajtjes nuk janë të tepruara. Gjithashtu, çdo institut rregulltar duhet të jetë në gjendje të tregojë objektivat dhe mënyrën si dëshiron t’i arrijë ato, duke respektuar disiplinën kanonike dhe civile e duke dhënë llogari për rezultatet e administrimit të çdo vepre. Përdorimi i pasurive, nënvizoi imzot Carballo, duhet të bëhet sipas qëllimeve të deklaruara hapur, pa menduar vetëm ruajtjen e pronësisë mbi to, sipas kuptimit që i dha këtij aspekti, nënsekretarja e Kongregatës, motër Nicla Spezzati. Ajo theksoi se “një rregulltar nuk mund t’u kushtohet veprave të drejtësisë shoqërore dhe lehtësimit të problemeve të të varfërve, pa një jetë që priret drejt varfërisë efektive; po kështu, nuk mund të arrihet varfëria individuale e komunitare, nëse nuk shprehet edhe në afërsinë me nevojtarët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.